Opinion nga Senad NIKSHIQI
I pari trajner i Vllaznisë, i dyti i Real Madrid. Në fakt dallimet janë diametralisht të kundërta. Njëri ka qenë futbollist shumë i mirë dhe sot nuk po tregon sa duhet si trajner ndërsa tjetri kurrë nuk ka luajtur futboll por sot e gjitha bota e kërkon duke e cilësuar si trajnerin më të mirë në qarkullim për momentin. Në fakt ne shqiptarët gjithmonë gabojmë kur krahasimet i bëjmë me modelet më të mira siç mund të jetë Mourinjo.
Në këtë rast është ndoshta krahasimi i duhur për faktin e thjeshtë se Mourinjon e njohim të gjithë dhe nuk ka nevojë tua shpjegojmë se kush është. Ndryshe është puna me Vatën. Jo se nuk e njohim, por ajo që dimë për të janë vetëm vlerat si futbollist, kontribute jo si çdo futbollist shqiptar. Edhe pse në punën e tyre për momentin janë si dy skaje që nuk kanë lidhje me njëri tjetrin por që i bashkon vetëm diçka, një element i vetëm. Të dy kundërshtojnë të gjithë që i dalin kundër e aq më keq edhe që i kritikojnë. Nuk pyesin nëse kundërshtojnë miqtë, elitën, ato që ndoshta vërtetë i duan të mirën apo edhe tifozë të thjeshtë që Vllazninë e kanë element përbërës të jetës tyre. Mendojnë se veç ata kanë të drejtë dhe se gjithçka thuhet në adresë të tyre është e gabuar dhe e pavend. Nëse Mourinjos i lejohet sepse fundja ka ca trofe jo me pak peshë si “Champions League” apo tituj Kampion sa në Portugali, Angli, Itali e ndoshta edhe Spanjë tashmë. Nga ana tjetër të paktën “të thumbuarit” e ka në stilin e tij, di kur të “pickojë” dhe nuk kopjon askënd por është orgjinal në atë çka bën dhe çka thotë. Sa për Vatën ka dëshirën të jetë në këtë linjë por nuk e bën siç duhet, madje e bën keq sepse fundja është Rudi Vata – trajner i Vllaznisë e jo Mourinjo i Real Madrid. Nëse Rudi nuk e di le ta marrë vesh tani sepse duhet të dalë dikush t’ia thotë, në të kundërt përkeqësohet situata sepse s’mund të kemi dy Mourinjo në të njëtën kohë. Kam disa kohë në fakt që kam ndaluar së shkruari për Vllazninë dhe gjatë kësaj kohe kaq shumë kam dëgjuar e parë saqë vërtet Rudi Vata më ngjan me Mourinjon duke marrë pjesën më të keqe nga ky i fundit e duke mos ditur ta shfrytëzojë siç duhet. I gjithë ky konkluzion rrjedh kur fare thjeshtë e mendon e logjikon situatën e tanishme. Vata duket se ka lënë pas “betejën” me gazetarët duke ditur se e ka të humbur siç gjithmonë rezulton dhe tashmë ka hapur një tjetër “betejë” të re. Atë kundër çdo opinionisti, mendje të vyer apo edhe tifozi që minumimi jep edhe një kritikë të thjeshtë në adresë të tij. Nuk duam ta besojmë se në facebook, gjithandej në faqe mediatike a forume të ndryshme flet me adresa jo të vërteta por të krijuara nga vete ai me pseudonime a emra që në fakt nuk ekzistojnë fare. Meqë Vata pëlqen edhe burrërinë, Vajushi është një nga ata që publikisht i bën thirrje që të dalë me emrin e tij e jo pseudonime. Këtu sqaroj që kjo mbetet në kuadër të thashethemit, por në Shkodër edhe jashtë saj të gjithë tashmë e komentojnë si fakt të vërtetë dhe jo thashethem një ndër ta edhe Vajushi. Përderisa akoma nuk kemi rënë realisht në të tilla gjurmë nuk kemi të drejtë të akuzojmë, thjeshtë të vazhdojmë ta konsiderojmë në vazhdëm e thashethemit. Nëse e para është thashethem, është fakt që ka nisur të krijojë incidente me persona të ndryshëm në mjedise të ndryshme sportive e jo sportive madje duke përmendur edhe forcën e tij si të jetë “bajraktar” e jo Rudi Vata që ka luajtur kudo në Europë, ai i kulturuari, me nota qetësie gjithnjë, i paqtë i matur e i respektshëm siç na është mësuar syri ta shohim pa qenë në rolin e trajnerit. Nëse them që a është Vata apo Mourinjo mos u çuditni sepse e gjithë sjellja e tij nuk na nxjerr ndonjë tjetër rezultat veç këtij aludimi që e ka përgjigjen brenda. Vata duhet ta kuptojë që pjesa më e madhe e kritikave janë për të mirën e Vllaznisë e automatikisht për të mirën e tij. Nëse do ishte diçka personale siç ai po mendon prej shumë ditësh, jo i gjithë opinioni sportiv do ishte pro emërimit të Vatës me një mbështetje shumë të madhe e një pohim unik që ai të jetë trajneri i Vllaznisë në momentin kur ky post ende nuk kishte zgjedhjen pas shkarkimit të Mirel Josës. Nesë pjesa më e madhe do kishin diçka, do ta kishin thënë që atëherë e jo tani. Kritikat thuhen tani sepse Vllania është si mos më keq. E po ti shtojmë këtu edhe papjekurinë e Vatës në raport me të tjerët atëherë problemi është shumë i madh dhe askuj nuk i shërben. Para disa ditësh ndër komentet e shumta dikush tregonte që të paktën ne shkodranët nuk duhet të kritikojmë më për Vllazninë e Vatën por në jemi të zotë të japim zgjidhje sesi mund të shuhen problemet në mënyrë që Vllaznia të jetë aty ku e meriton, në majat më të larta të futbollit shqiptar. Shumë e thjeshtë. Trajneri Vata duhet të bëjë punën e tij me skuadrën, ta ketë mendjen vetëm aty, tek puna, tek serioziteti, tek profesionalizmi e jo tek kundërshtimi i të gjithëvë zërave kritikë sepse në fakt janë aq shumë sa nuk mund ti “mbytësh” dot më një zë të vetëm. Për Vatën vyen shuarja e problemeve, lënia e rolit të “bajraktarit” (të qënit trim) sepse një betejë e humbi, atë me gazetarët, i humbur është edhe në të dytën. Ligji është i thjeshtë. Humbe betajat, humb “luftën” !