Nga Maringlen ZHIVANI

Skema që po aplikohet për të dytin vit rradhazi në kampionatin shqiptar të futbollit, me “Final Four”, herë pas here sjell pakënaqësi në opinionin sportiv nga ish-futbollistë dhe ish-trajnerë. Të shumta kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë opinionet e dhëna nga specialistë të futbollit kundër kësaj skeme.

Me interes për t’u ndjekur është edhe prononcimi i ish-kapitenit të Kombëtares së Shqipërisë, njëherësh edhe ish-futbollistit dhe ish-trajnerit të Vllaznisë, Rudi Vata. Në fjalët e tij në emisionin “Star Sport” për formulën e “Final Four” tha se kjo është një formulë bixhozi që nuk ekziston në asnjë kampionat në botë.

“Kjo formulë e “Final Four” është formulë bixhozi. Kjo nuk është formulë futbolli. Kush ka mend të luajë bixhoz me futbollin, kjo është formulë perfekte. Kjo formulë nuk ekziston në asnjë kampionat në botë dhe nuk ka për të ekzistuar. Ekziston në Shqipëri, sepse këtu është mentaliteti i basteve.

Në Shqipëri, klubi më i suksesshëm është dënuar 10-vjet nga UEFA dhe presidenti vazhdon të jetë prapë aty, sikur nuk ka ndodhur asgjë. Domethënë, këtu ndodh krimi sheshit. Këtu, djemve të rinj u shkatërrohet mentaliteti, mësohen dhe edukohen keq për një grup njerëzish që kanë qejf të luajnë bixhoz. Ky është problemi, që gjërat duhet t’i themi ashtu si janë.

Kjo formulë është formulë bastesh dhe mbaron historia. Për sportin, kjo nuk është formulë. Njerëzit që e kanë krijuar formulën, jam i sigurtë që dy hapa vrap, nuk i kanë bërë në jetën e tyre, por i përshtatet mentaliteti i tyre. Ti nuk ke shtet për ta kuptuar, sepse edhe pushtetarët janë të gjithë bixhozxhinj me çfarë shoh unë.

Ministria e Sportit nuk ekziston, sepse një njeri që merret me sport, e kupton formulën dhe thotë stop. Nuk mundesh ti ta lejosh këtë formulë, sepse nuk është e shëndetshme për sportin, nuk është e suksesshme, është abuzive. Domethënë, këtu njerëzit e shohin dhe askush nuk reagon. Kjo mua më shqetëson”,-tha Rudi Vata në “Star Sport”.