Nga Maringlen ZHIVANI

Ish-mbrojtësi i Vllaznisë dhe i Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata ishte i ftuar në panelin e emisionit “Star Sport” në TV Star Plus. Në fjalët e tij, Vata vlerësoi cilësitë e sulmuesit të Vllaznisë, Kevin Dodaj, teksa tha se ai ka cilësi shumë të mira.

“Kam parë te Vllaznia një futbollist të ri, siç është Kevin Dodaj. Edhe pse është futbollist i ri, nuk ka eksperiencë të madhe, nuk ka shumë minuta, kam parë që ka disa cilësi shumë të mira. Edhe në ndeshjen ndaj Partizanit, kishte disa situata që edhe me kundërshtarin e tij që fizikisht ishte shumë më i gjatë se ai, tregoi disa momente shumë të bukura.

U tregua shumë “trim” dhe më pëlqeu mënyra si demonstroi lojën. Sigurisht, ka edhe futbollistë të tjerë të rinj që munden gradualisht kanë nevojë të marrin minutazh dhe kush të jetë më i zoti dhe kush të jetë më serioz, pastaj le të luajë dhe të ketë vazhdimësi. Më vjen mirë që te Vllaznia janë afruar disa futbollistë nga Akademia dhe po iu jepet mundësia, siç është Dodaj dhe Delaj, që janë futur në skuadër.

Është ndryshuar mentaliteti. Kjo më vjen mirë, sepse përveç Alivodës, nuk kam parë që klubi ka një strategji apo projekt për këto djem të rinj. Këtë sezon është disi më ndryshe. Këtyre futbollistëve po iu rritet vlera dhe pas disa sezonesh, mund të bëhen shumë futbollistë të rëndësishëm të kampionatit shqiptar”,-tha ish-futbollisti dhe ish-trajneri i Vllaznisë, Rudi Vata në “Star Sport”.