Ish- kapiteni i kombetares shqiptare Rudi Vata eshte rikthyer serish te flase per bojkotin e ekipeve te kategorise Superiore duke dale edhe njehere kunder nje vendimi te tille.

Ai ka qene pjesmarres në emisionin “Fair Play” me gazetaren Enkeleida Zeko në Syri TV, në një lidhje “Skype” nga Skocia.

Tema kryesore e këtyre ditëve është bojkoti i Superiores nga ana e klubeve, gjë për të cilën Vata tha:

“Më vjen shumë keq që futbolli është bojkotuar. Nuk është kjo zgjidhja e problemeve. Më vjen keq për futbollistët, për trajnerët, të cilët kanë bërë përgatitje për të filluar kampionatin.

Jam i sigurtë që profesionistët duhet të jenë në fushë. Kjo është një situatë administrative. Duhet t’i zgjidhin njerëzit që merren me administratën. Futbollistët duhet të luajnë.

Të gjitha kërkesat janë të drejta, madje ka dhe shumë kërkesa të tjera që i duhen kërkuar qeverisë, por duhet t’i zgjidhin me njëra-tjetrën Federata dhe qeveria”.