Argjentina fitoi Kupën e Botës në Katar falë gjuajtjeve të penalltive në ndeshjen finale ndaj Francës. Ndërkohë, për ish-futbollistin shkodran të Vllaznisë dhe të Kombëtares, Rudi Vata, argjentinasit nuk treguan asgjë tjetër, përveç se ishin një skuadër me karakter dhe që luajti me inteligjencë.

Rudi Vata, i ftuar në Report TV, bëri edhe një krahasim të Messit me legjendën e futbollit, Maradona. Vata tha se ata të dy kanë personalitete të ndryshme, pasi sipas tij Messi në këtë botëror u soll si grindavec, ndërsa për Maradonën ai thotë se ka qenë “Zoti i futbollit”, por me një karakter krejtësisht tjetër.

“Maradona ka pasur karakter tjetër. Messi, ndoshta në ndeshjen me Hollandën, tregoi karakterin e grindavecit. Maradona ka pasur një personalitet krejt tjetër. Ai ka qenë futbollist dhe ka qenë “Zoti i futbollit”,-thotë ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares.

Për Rudi Vatën, Messi është një histori suksesi, i cili vazhdon të ruajë ende në moshën 35-vjeçare talentin e tij, si asnjëherë më parë në historin e futbollit.

“Kur flasim për Messin, po flasim thjesht për një vazhdimësi që në moshën 18-vjeçare deri në moshën 35-vjeçare, nuk ka futbollistë në botë që e ka pasur një vazhdimësi të tillë. Për mua, ai do e fitojë prapë “Topin e Artë”. Kush mundet të jetojë kaq gjatë në këto nivele, përveç Messit.

Maradona ka pasur një rrugëtim special, por jo në këto nivele. Futbolli është më tepër agresiv sot, pasi janë edhe lojtarë të ndryshëm”,-tha gjatë prononcimit të tij, ish-futbollisti i Vllaznisë dhe i Kombëtares së Shqipërisë, Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI