Ish-futbollisti shkodran i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Rudi Vata ka lëshuar akuza të forta, duke thënë se në Shqipëri, lojtarët paguajnë në mënyrë që të aktivizohen me ekipin kombëtar.
Në një intervistë për Euronews Albania, Vata u shpreh se kjo është një nga arsyet se përse Shqipëria nuk ka progres në futboll, duke e cilësuar këtë si një mentalitet të sëmurë.
“Është mentaliteti që kemi ne. Nëse ti nuk ndërton mentalitet patriotik, jo mentalitet tradhtar, se nuk mund të jesh edhe patriot, edhe të thuash jam krenar që jam shqiptar dhe pastaj i bën puçin skuadrës shqiptare në ndeshje të veçanta. Brezave të rinj u mohon të drejtën. Kush ta jep ty të drejtën që mos t’i japësh hakut atij që e meriton?
Unë e kuptoj se pse nuk funksionon dhe pse nuk progreson Shqipëria, sepse është ky mentaliteti, mentaliteti që njerëzit mendojnë që duhet të paguash që të bëhesh futbollist i Kombëtares, të 15, 17, 19, 21-vjeçarëve.
Prandaj, njerëzit nuk mund të mendojnë që të ecin para me këtë lloj kulture. Kjo është kulturë që mund të përfitosh si individ diçka, por e ardhmja është e trishtueshme”,-theksoi në prononcimin e tij, ish-futbollisti shkodran i Vllaznisë dhe i Kombëtares, Rudi Vata.
Maringlen ZHIVANI