Ish-kapiteni i Kombëtares shqiptare, Rudi Vata, në një intervistë ekskluzive për “Vipsport.al” prek disa nga temat kryesore të futbollit shqiptar. Ai thekson se futbolli ynë nuk mund të ngrihet në nivelin e duhur, pa u pastruar më parë.
Vata flet për zhvillimet e fundit te Vllaznia, ecurinë e skuadrave tona në kompeticionet europiane, rikthimin e Tiranës në elitë, ardhjen e Skënder Gegës në krye të Partizanit dhe dënimin e Skënderbeut. Ja intervista e tij e plotë:
Vata, i keni parë skuadrat tona në Kupat e Europës? Si u janë dukur?
Nuk i kam parë, por e kam lexuar atë që ka ndodhur me Luftëtarin dhe nuk është surprizë për mua kjo histori. Është ligji i mbijetesës në futbollin shqiptar. Ky është futbolli shqiptar dhe skuadrat tona nuk është se kanë bërë ndonjë paraqitje kushedi.
Nuk ka futboll të pastër në Shqipëri, nuk ka njerëz të pastër, institucionet nuk janë të pastër. Njerëzit kanë shfrytëzuar mundësinë që u është dhënë për të mbijetuar. Shpresoj të forcohet shteti dhe të forcohen ligji, rregulli disiplina. Nuk jemi në atë nivel që të ecim përpara.
Kukësi vazhdon ndërkohë…
Kur them ky është futbolli shqiptar, kam parasysh faktin që futbollit shqiptar i përjashtohet ekipi kampion dhe shkon në Champions League me ekipin e vendit të dytë. Nuk është e njëjta gjë, nuk është i njëjti emocion. Kukësi u eliminua nga Championsi dhe shkoi aty ke e kishte vendin, në pozicionin natyral.
Fakti që ka pësuar 5 gola në Gjeorgji do të thotë se ekipi ka probleme serioze dhe vetëm një mrekulli mund ta kualifikojë. Mendoj se ka një disbalancim të shumë komponentëve në ekip. Largimi i Gurit, për shembull, ndikon, por edhe cilësia e disa lojtarëve të tjerë. Po ashtu, edhe largimi trajnerit ka ndikuar.
Në çfarë drejtimi?
Kisha shumë besim te trajneri Pakult. Është shumë e vështirë të mësosh konkluzionin e saktë pse ai u largua, por, për mendimin tim, ishte privilegj që kampionati shqiptar kishte një trajner si ai. Një trajner me shumë përvojë dhe me mentalitetin e duhur për të bërë ndryshimin. Më erdhi shumë keq, kur mësova se është larguar.
Trajneri Cungu, pas humbjes në Gjeorgji ka shpërthyer në akuza në lidhje me kualitetin e ekipit?
Kjo tregon se te Kukësi ka moskoordinim mendimesh. Por mendoj se do të ishte më e ndershme që trajneri Cungu t’i thoshte këto fjalë para ndeshjes. Kur e merr përsipër të bësh një punë, të drejtosh një ekip, i ke bërë dy llogari.
Nuk duhen lëshuar akuzat në shtyp, por duhen diskutuar, sepse pikëpamjet mund të jenë të ndryshme. Shkalla e inteligjencës mund të jetë e ndryshme, sepse kështu është vetë jeta. Presidenti i Kukësit, Safet Gjici, me sa e njoh, është një njeri ambicioz.
Cila është historia e Kukësit? Kjo e viteve të fundit dhe njerëzit duhet t’i jenë mirënjohës z.Gjici, sepse po të mos ishte ai, edhe për 100 vjet Kukësi nuk do të ishte në këto nivele.
Ka meritë të padiskutueshme për ekipin që ka ndërtuar. Në veri, Vllaznia nuk po arrin të organizohet dhe po vuan, ndaj dhe Kukësi dhe Laçi meritojnë një “bravo” të madhe.
Meqë jemi te Vllaznia, sapo është emëruar Hasan Lika trajner dhe Engin Firat drejtor sportiv?
Engin Firat është një mik i imi, e kam sugjeruar unë për te Vllaznia, sepse është një profesionist i vërtetë dhe kam besim tek ai. Nuk është pjesë e sistemit, është një turko-gjerman, vjen nga shkolla gjermane dhe kupton mentalitetin e Ballkanit.
Për këto arsye mendova se është i pranueshëm për Shkodrën, ku është e vështirë të punohet, ndaj dhe e sugjerova. Më vjen mirë që drejtuesit e klubit e paskan zgjedhur. E bëra me dëshirën e mirë, që ai të organizojë si duhet klubin.
Vllaznia i ka kapacitetet, ka produkt të mirë në futboll, por duhet të përpunohet si duhet. Nëse te Vllaznia punon një trajner shkodran, gjysma e qytetit do ta duan dhe gjysma tjetër jo. Ky është realiteti.
Po për trajnerin Lika çfarë mendoni?
Hasani është një person që e njeh mirë futbollin shqiptar dhe më duket një lëvizje e mirë për Vllazninë. Lika ka përvojë dhe fleksibilitet, ndaj dhe e konsideroj lëvizjen e duhur për stolin. Ka drejtuar skuadra me emër dhe vjen pas sezonit të shkëlqyer me Luftëtarin.
Pak kohë më parë është emëruar Suad Lici në pozicionin e administratorit të Vllaznisë?
Me Suadin kam qenë shok ekipi te Tirana dhe më vjen mirë që i është besuar ky pozicion. Ai është edhe një nga arsyet pse e sugjerova Firat për pozicionin e drejtorit sportiv. Suadi është një person me karakter, punëtor, serioz, pa vese dhe familjar, kështu që besoj se do të punojë mirë.
Si e shihni të ardhmen e Vllaznisë?
Te Vllaznia janë bërë shumë gabime, por tani është e rëndësishme që njerëzit të mos merren më me problemet e së kaluarës, sepse është energji e humbur kot. Në Shqipëri, 95% e njerëzve merren me problemin dhe 5% me zgjidhjen, kur duhet të jetë e kundërta.
Në Shkodër ka njerëz, të cilët punojnë kundër të mirës, kundër punës, si e si me prish punë. Por shpresojmë që gjërat të ndryshojnë dhe llafazanët dhe dashakeqet të munden me punë.
Çfarë prisni nga kampionati i ri, që nis javën e ardhshme?
Më gëzon rikthimi i Tiranës dhe shpresoj të jetë një Tiranë tjetër. Jam kurioz për ambiciet e Tiranës dhe pozitiv është fakti që kampionatit i kthehet derbi i famshëm, që mungoi sezonin e fundit. Po ashtu, më pëlqen lëvizja që ka bërë Partizani me afrimin e Skënder Gegës në rolin e trajnerit.
Ai është një djalë serioz, një djalë i Partizanit. Lëvizje tjetër interesante është edhe Bledi Shkëmbi te Teuta dhe të gjitha këto mund të jenë shkëndija të reja, shkëndija që tregojnë se futbolli shqiptar mund të ketë filluar të pastrohet. E bukura e këtij sporti është kur punon me sportivitet, kur fiton dhe humb me sportivitet.
Po për dënimin e Skënderbeut, çfarë komenti keni?
Do të ndodhte dhe ndodhi. Siç e thashë disa herë, futbolli shqiptar nuk është i pastër. Skënderbeu ka bërë gjëra të bukura, por edhe gjëra të pabukura.
Sigurisht që është dënuar për gjërat e pabukura që ka bërë edhe të gjithë duhet të jenë të ndërgjegjshëm, edhe drejtuesit e ekipit, që nuk duhet të bëhen më katolikë se Papa, por të ulin kryet dhe të punojnë.
Nuk është faji i Skënderbeut si klub, i Skënderbeut si emër, apo i Korçës si qytet, por i njerëzve që i kanë menaxhuar situatat. Duhet të punojnë me pastërti, sepse futbolli prodhon shumë para në kohët e sotme, por kërkon edhe shumë djersë. Pikërisht me shumë punë do të ecet përpara. / Vipsport/