Ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare, Rudi Vata, mendon se nga ndeshja e sotme mund të kujtohet vetëm rezultati përfundimtar i saj, pasi pjesa tjetër la shumë për të dëshiruar. Në RTSH ai argumentoi se ky takim duhej kujtuar vetëm për pikët e asgjë më shumë.

“Më kryesorja ishte fitorja, ishim të detyruar të fitonim ndeshjen, sa i përket pjesës tjetër mund të them që ishte e mërzitshme deri në maksimum. Na u dhurua një gol që na shërbeu mirë, na dha një farë sigurie. Po të shohësh raste deri në momentin e golit të dytë, kishim goditur 2 herë e shënuar 1 gol.

Mendoj se eksitimi më i madh në këtë ndeshje ishin minutat e fundit. Freskia e Balajt dhe Memushajt e Abrashit solli më shumë uri e vendosmëri në fushë, sidomos nga Abrashi. Ishte fitore e merituar gjithsesi por një fitore që do t’i shërbejë skuadrës për qetësi.

Tani edhe me golavarazh në grup jemi plus dhe duhet të përgatitim ndeshjen tjetër, atë ndaj Islandës. Duhet të jetë përqendrimi kryesor të shkojmë në Islandë e bëjmë një paraqitje sa më të mirë për vazhdimësinë e rezultateve pozitive pas kësaj ndeshje”, tha Vata. /vipsport/