Sa herë që vjen në Shkodër natyrisht që temë e rëndësishme e bisedave të tij është edhe Vllaznia. Ish- kapiteni i kombëtares shqiptare Rudi Vata është gjithnjë edhe “i pëlqyeri” i mediave dhe për këtë arsye, ka folur sërish, këtë herë për TV Rozafa, edhe në ardhjen e rradhës në qytetin e tij të lindjes. Së pari, ka folur për skuadrën aktuale për të cilën thotë se problemet e saj vazhdojnë të jenë të njëjtat si më parë. “Vllaznia ka probleme dhe jo vetëm këtë sezon. Këto probleme duhet t’i eliminojnë ato njerëz që e kanë për detyrë ta bëjnë një gjë të tillë dhe Vllaznia të marrë formën dhe të ruajnë imazhin e bukur që ka patur në vite, si një klub i madh i futbollit shqiptar, si një skuadër që paraqet vlera dhe spektakël në fushën e lojës”- është shprehur Vata.
Ish- futbollisti dhe ish-trajneri i kësaj skuadre ka folur edhe për skuadrën aktuale të Vllaznisë dhe shpreh bindjen e tij të plotë se me përbërjen që ajo ka, nuk duhet kurrsesi të mendojë për rrezikun e rënies nga kategoria. “Në përbërje sot Vllaznia them se është një skuadër e mirë. Ka një mbrojtje të mirë, një portier që është mjaftueshëm i mirë, me një mesfushë që gjithashtu ështës solide dhe e mirëorganizuar dhe ndoshta problemi më delikat i saj ka qenë në sulm. Me këtë kontigjent, sigurisht që skuadra i ka të gjitha mundësitë për të mbrojtur një vend në mesin e tabelës së renditjes. Afrimi i Bakajt besoj se ka qenë diçka pozitive sepse është një lojtar me vlera të pamohueshme. Ka ardhur tek Vllaznia të bëjë diferencën e madhe, ka atë emër që duhet ta mbrojë me punë dhe me gola dhe jam i sigurtë se nëse ambjentohet mirë, nëse trajtohet mirë, ka për të prodhuar ato gola që kanë për t’i shërbyer skuadrës dhe kanë për ta bërë atë të ndihet komode në renditje”- është shprehur ish-kapiteni i kombëtares shqiptare. Për të, zgjidhja e fateve të kësaj skuadre është kalimi tek privati por kjo varet nga dëshira e njerëzve që e kanë në dorë këtë gjë prandaj thotë: “Pengesa ligjore mund të ketë për kalimin e Vllaznisë tek privati por njëkohësisht besoj se edhe vullneti i drejtuesve nuk ka qenë aty ku duhet për ta bërë këtë gjë.Nëse gjërat nuk ndryshojnë, skuadra gjithnjë ka për të qenë në këto ujëra dhe tifozët shkodranë do të jenë sërish të pakënaqur. Futbolli shqiptar komandohet nga të fortit dhe të fortit janë ato persona që kanë investuar ato paratë e tyre tek klubet e ndryshme në Shqipëri. Këto persona kanë ndikim absolut qoftë edhe tek arbitrimi i ndeshjeve, qoftë edhe tek manipulimi i disa rezultateve që ndodhin në kampionat. Vllaznia në këtë aspekt është shumë prapa. Shqipëria është një vend ku përgjithësisht ka dominuar i forti, jo ligjërisht por ilegalisht. Prandaj Vllaznisë i duhet të ketë në krye një burrë të fortë për të luftuar të fortit e tjerë. Pastaj, futbollistët vijnë edhe tek Vllaznia kur një burrë i fortë paguan mirë dhe kur ato besojnë se ky burrë i fortë mendojnë se i ka mundësitë për ta çuar skuadrën në majat e futbollit shqiptar”. Kuqeblutë në kampionat nuk janë në pozita komode por në kupë mund të avancojnë. Këtë e thotë edhe Rudi Vata në prononcimin e tij kur deklaron: “Europa mund të arrihet ndoshta përmes Kupës. Tek Vllaznia ka futbollistë të mirë, janë me karakter të mirë dhe ata mbase mund të shkojnë më tej. Fitorja 1-0 në ndeshjen e parë, është një rezultat pozitiv që i bën ata favoritë për kalimin në turin tjetër. Pastaj aty, me shumë kujdes, mund të kalohet edhe në finale”. Së fundi, pyetja tjetër është ajo e projekteve të tij të ardhshme dhe nëse e lidh ndonjë gjë përsëri me Vllazninë. Vata lë të hapur çdo gjë por jo tani. “Unë vij shpesh në qytetin tim dhe sa herë që vij, temë e diskutimeve me miqtë e mi është Vllaznia. Herën e parë që u ktheva të punoj aty, ndoshta u tregova pak naiv në ato që mu premtuan. Me njerëz ndryshe, me një strategji tjetër, edhe mund të kthehem pse jo, për të kontribuar tek Vllaznia. Por në këto momente, nuk është se kam ndonjë objektiv konkret që të kthehem tek kjo skuadër”- thotë Rudi Vata.
© shkodrasport.com