Ish-futbollist i Kombëtares Rudi Vata në një lidhje me “skype” për emisionin “Ora Sport” në “Ora News” foli mbi situatën që po kalin ekipi i Kombëtares së Shqipërisë kur kanë mbetur dhe pak javë nga përballja me Anglinë në Uembli.

Në bisedë Vata komentoi eventin e “Topit të Artë 2024” të organizuar nga FSHF-ja, ku nuk e shprehu zhgënjimin e tij për formën e prezantuar.

“Ishte një luks i tepruar, sepse kur ke të bësh me futbollin dhe kur ke të bësh me Shqipërinë duhet të kuptojmë mënyrën se si funksionojnë gjërat.

Unë jam pjesë e bazës, e atij futbolli të luajtur me dëshirë, pasion dhe grinte, dhe jam rritur tek ato fushat me baltë dhe kur shikoj shfaqje të tilla kjo nuk më jep energji pozitive.

Kam qejf të qëndroj me realitetin dhe të demonstrojmë atë çfarë kemi dhe të rritemi shkallë-shkallë.Në Shqipëri jemi mësuar të shikojmë gjëra ku ne duam të rritemi shumë shpejt pa bërë një karrierë natyrale.

Kemi parë njerëz që janë bërë kryeministra shumë shpejt, janë bërë të parët e një institucion shpejt, por nuk janë bërë në mënyrë natyrale nëpërmjet meritokracisë dhe kjo ndodh edhe në futboll.

Po të shikosh atë mbrëmje ajo ishte e trishtuar sepse kishte njerëz që duan të jenë protagonistë në një kohë që nuk kanë asnjë lidhje me futbollin.

Edhe kryeministri shqiptar vjen aty dhe ia merr shfaqjen, ua vjedh atë njerëzve që bëjnë kilometra në fushë, që janë lodhur dhe kjo nuk më pëlqen aspak, pasi është një shfaqje e gënjeshtërt dhe hipokrizi.

Vetëm njerëzit e pasion mund të nxjerrin futbollistë të mirë dhe nëse nuk investon tek njeriu atëherë nuk mund të nxjerrësh trajnerë e më pas lojtarë.

Gjithsesi këto janë çështje shumë të mëdha, por duhen njerëzit e duhur.Këtu lekë ka por nuk janë investuar si duhet, pasi projekte konkrete dhe për t’i krijuar lehtësira sportit nuk ekzistojnë.

Pasi mesa shikoj politikanët nuk e pëlqejnë sportin dhe atëherë kur e bëjnë është momenti kur ata duan të shfrytëzojnë atë për të marrë merita që nuk i takojnë.

Dhe kjo sepse në Shqipëri gjithçka lidhet me korrupsionin, dhe nëse mendojmë kështu atëherë kemi probleme.

Klubet dhe kombet e suksesshme janë të impenjuar për të marrë rezultatin kur krijojmë një grup të qartë, por këtu sa bëjmë një grup mendojmë si ta përçajmë”, u shpreh ndër të tjera legjenda e Kombëtares Rudi Vata.