Shqipëria humbi në Islandë, në ndeshjen debutuese të trajnerit Edi Reja. Një ish-kapiten i Kombëtares, në analizën e tij për “Panorama Sport”, tregon elementet pozitive që ndoqi nga stadiumi i Reikjavikut, por në fjalën e tij për gazetën, Rudi Vata nuk e ndan Kombëtaren nga atmosfera disavjeçare që ka krijuar politika në vendin tonë.
Referuar gabimeve, Vata i lidh shumë edhe me kulturën në vendin tonë, teksa sugjeron edhe zgjidhjen me Edi Rejan.
Keni qenë në Reikjavik, çfarë ju bëri përshtypje nga skuadra dhe stafi?
Ishte një ndeshje e përgatitur mirë. Deri në rreth 20 minutat e para, më pëlqeu. Ishte krejtësisht një Shqipëri tjetër nga ajo që na kishte servirur Panuçi të shohim. Mirëpo, më pas ndodh ai gabim siç na ndodh gjithmonë dhe skuadra pëson një goditje.
Pse ndodhin gabime të tilla?
Është mungesë kulture. Mungesë kulture e vendit tonë, e Shqipërisë. E gjithë bota mëson se si t’i bëjë gjërat, i përmirëson dhe i rregullon, ndërsa ne përsëritim atë gabim në mbrojtje, apo edhe në sulm nuk shënojmë dot. Ndryshe nga Islanda, e cila luan me efikasitet të plotë teksa edhe me dy raste që krijon, shënon dhe arrin të fitojë
Si ju duk debutimi i trajnerit Reja?
Shikoni, për të mos përmendur edhe një herë çfarë thashë më sipër, jo Rejan të sjellësh te ne, por edhe Murinjo apo Aleks Ferguson do ta kenë të vështirë, e gjithë kjo për vetë zymtësinë dhe momentin që po kalon vendi ynë prej disa vitesh, dekadash.
Nuk ka zgjidhje. Me Rejan, pashë një ekip me shumë dëshirë, jo si më parë me Panuçin. Skuadra e nisi në kërkim të golit. Pati dinamizëm, lojë deri diku të rrjedhshme. Një rast me Lenjanin nga ai krosim dhe me gjuajtjen e Hysajt.
Deri në momentin e golit, ishte Shqipëri shumë e bukur. Më pas, lojtarët pësuan një goditje psikologjike. Me kalimin e minutave, Islanda e shfrytëzoi sepse për atë po luante. Ata u mbrojtën dhe ne shpenzuam shumë energji. Më vonë lojtarët edhe u lodhën. Ra freskia. As kur ishin Cikalleshi e Balaj, por as kur u fut Sadiku, nuk krijuam rrezik.
Me fitoren e Turqisë, zbehen shanset për një vend dinjitoz. Si e shihni të ardhmen?
Unë mendoj se me Rejan ka ardhur koha që të mbështeten elementët e rinj. Migjen Basha i ka dhënë shumë Kombëtares, por është koha për ta zëvendësuar. Ai Ndoji është me perspektivë dhe më kanë thënë fjalë të mira.
Gjithashtu mund të them një tjetër, Ndrecka i Kievos si mbrojtës i majtë. Vrioni ka perspektivë. Këto edhe të tjerë janë elementë që me Rejan duhet të punojnë për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes, sepse shanset i shoh shumë afër zeros për kualifikimin. Ndaj, sugjerimi im është që Rejas të mos i kërkohet vetëm rezultati imediat. Por që Reja të jetë ideator i të ardhmes së Kombëtares sonë.