Një histori që po vazhdon e vazhdon për Roko Vatën, djaloshin 15-vjeçar që po diskutohet për Kombëtaren që do të luajë në të ardhmen. Aktualisht është pjesë e Irlandës te grupmoshat e vogla, ndërsa si mundësi janë edhe Skocia me Shqipërinë.
Flasim për djalin e Rudi Vatës, figurës së njohur të futbollit shqiptar që po vazhdon me akuza. Këtë herë e ka me gazetarët, duke thënë se kanë tradhëtuar idealet, pasi nuk ngrenë zërin ndaj padrejtësive të supozuara. Madje duke shkuar edhe më tej, për të thënë se Altin Lala dhe Igli Tare nuk janë të mirëpritur në Shqipëri, megjithëse dihet se është krejt e kundërta.
E kur flitet për zgjedhje ne djalit, Rudi shprehet për “Report Tv” se duhet të pyetet edhe nëna e djalit, që është me origjinë skoceze. Por nëse Shqipëria “ka fjetur gjumë” dhe nuk e ka kontaktuar ende për Rokon, atëherë në të njëjtën “gjëndje gjumi” duket edhe Skocia, një Kombëtare që zakonisht nuk fal talente dhe ka më shumë prespektivë se vetë Irlanda. Pra, çfarë nuk shkon këtu? Me siguri që po të mos ishte biri i një figure të njohur, atëherë pakkush do kishte informacione për Rokon, e jo më që të diskutohej kaq shumë e në kaq pak kohë.
Ndjeni ju përgjegjësi se mund të kishit bërë diçka për vendin? Jeni drejtues jashtë të suksesshëm. Njëjtë si Tare e Lala.
Përgjegjësia ime është që unë të ofroj vetveten dhe këtë e kam bërë në mënyrën më koshiente. Ajo që ka ndodhur është se unë si një ish kapiten dhe futbollist kur kam ardhur në vendin tim jam votuar vetëm me një votë, ndaj një kundërshtari që nuk e ka shkelur kurrë fushën e blertë. Kjo tregon se mentaliteti i punës, të atyre që kanë votuar për të ardhmen e futbollit, ka tregu që jemi kundra totalisht asaj që duhet.
Me kalimin e kohës kam kuptuar që këta njerëz kanë bërë shumë mirë se kam kuptuar që s’jam në konceptin e tyre të punës. Sigurisht kanë bërë zgjedhjen që iu është përshtat perfekt. Të gjithë aktorët e futbollit janë njerëz që i përshtatet mënyrës së tij të funksionuari aktualisht.
Tare, Lala janë njerëz ndryshe që e kanë fituar respektin ndryshe. Në ambientin shqiptar Vata, Tare, Lala do të jenë gjithmonë të papëlqyeshëm.
Roku Vata, djali juaj, duket se ka zgjedhur të luajë me Irlandën?
Duhet të shpjegoj diçka, në historinë e jetës time jam edukuar me virtyte shumë të mira dhe jam i sigurtë që unë, familjen, vendin tim dhe shoqërinë kurrë nuk e kam tradhtuar. Nëqoftëse se ka ndonjë që më quan tradhtar duhet me pas shumë fakte. A ka të drejtë në këtë vendimmarrje me u pyet edhe nëna e djalit tim që është skoceze dhe me origjinë nga një vend tjetër? E pse nuk ka të drejtë kjo grua?
Gjithsesi e para për këtë temë duhet pyetur FSHF. Normalisht djali është 15-vjeç, është tepër herët me fol për tradhti, për besnikëri, për vendimmarrje. Nga FSHF s’ka pas asnjë kërkesë ndaj Rudit, i cili s’ka bërë asnjë refuzim. Në jetën time kurrë nuk kam bërë tradhti. E kam dash shumë këtë profesion.
Kush janë ata që e kanë tradhtuar futbollin në Shqipëri?
Ju njerëzit që keni një zë, ju mund të jeni në rradhë të parë që keni tradhtuar idealet. Ekzistojnë gjithë këto probleme, ju rrini dhe ushqeheni me to, keni vendos me jetu aty, shikoni problemet dhe nuk ngreni zërin. Mua më vjen keq që vendi im është me probleme, i varfër, një ambient i trishtuar dhe unë nuk ndihem mirë. I takon gazetarëve me identifikuar tradhtarët dhe mos me iu lënë ju më ju shfrytëzuar. Kush është ai burrë që mundet me m’qujt mu tradhtar në një kohë që për vete kur del para pasqyrës ka vlerat më negative për tu quajtur tradhtar.
Të gjithë e trajtojnë Shqipërinë dhe shqiptarët si dele. Unë fëmijën tim nuk e kam dele, por shpresoj që të bëhet një tigër i futbollit, një luan i futbollit. Jam i sigurtë që e ardhmja e futbollit shqiptar nuk vjen me një fëmijë.