Vllaznia po kalon momente pak të vështira në kampionat dhe si rrjedhojë tashmë po shihet mundësia për të dalë sa më shpejt nga kjo situatë.
Ish- futbollisti dhe ish- trajner i kësaj skuadre Rudi Vata i ka bërë një analizë kësaj situate duke thënë se mundësitë i ka për të ecur përpara por nga ana tjetër, është shprehur për mediat se lojtarët dhe trajneri duhet të marrin më shumë përgjegjësi.
“Vllaznia e ka kualitetin e mjaftueshëm për të dalë kampion, por duhet bërë shumë kujdes me menaxhimin e këtyre futbollistëve. Mendoj se ka futbollistë të cilët mendojnë se kanë arritur diçka me Vllazninë dhe në momente të veçanta e mbivlerësojnë veten.
Nëse këta futbollistë, Shkodra i vlerëson, këtë vlerësim ata duhet ta quajnë si përgjegjësi dhe të angazhohen edhe më shumë dhe të jenë shembull edhe për lojtarët e tjerë që nuk e kanë personalitetin e mjaftueshëm për të përballuar ndeshjet e mëdha.
Shoh që edhe trajneri në momente të caktuara tregon shenja nervozismi dhe nuk merr përgjegjësi. Nëse ky trajner ka marë të gjitha meritat për gjithçka ka arritur skuadra, duhet të marrë edhe përgjegjësitë. Prandaj trajnerët e mëdhenj dallohen pikërisht nga mënyra si i marrin përgjegjësitë dhe si dalin nga këto momente të vështira”- është shprehur Vata./SHKODRA-SPORT.COM/