Njerëzit që flasin dhe nxjerrin në pah problematikat e Vllaznisë, kanë kohë që e bëjnë një gjë të tillë. Normalisht kjo ka vlejtur sepse ata që kanë në dorë fatet e kësaj skuadre kanë filluar të lëvizin për të gjetur zgjidhjen e duhur, privatizimin e klubit.

Ish- futbollisti dhe ish- trajneri i kësaj skuadre Rudi Vata, në një tjetër dalje në media, pikërisht në emisionin “Star Sport”, ka ngritur zërin sërish për këtë çështje teksa ka thënë:

“Problemi i Vllaznisë tashmë është vërtetuar se nuk është skuadra, erdhi një mbrojtës apo iku një mbrojtës. Erdhi një trajner apo iku trajner. Kanë ardhur e kanë ikur shumë lojtarë e trajnerë por situata vazhdon të jetë e njëjtë.

Vllaznia nuk funksionon si institucion. E vetmja zgjidhje është kalimi sa më i shpejtë në duart e privatit. Ajo që më çudit është se ka njerëz, me emër e mbiemër që dalin publikisht dhe shprehin dëshirën për të marrë Vllazninë.

Dhe askush nuk i thërret për të biseduar dhe gjetur mundësinë e bashkëpunimit për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje që ka shqetësuar shumë shkodranët prej shumë vitesh”.
© shkodrasport.com