Antonio Rudiger, mbrojtësi i Real Madridit, shoqëroi trajnerin e tij Ancelotti në dhomën e shtypit për të prezantuar ndeshjen e së martës kundër Manchester City, çerekfinalen e parë të Ligës së Kampionëve: “Vitin e kaluar në ‘Bernabeu’ ishte një ndeshje pozitive, të gjithë bëmë mirë. Nuk luajta në ndeshjen e kthimit, por Ancelotti nuk duhet të kërkojë falje për gjëra të tilla. Ai ka idetë e tij për formacionin dhe lojën, ne si lojtarë vetëm duhet t’i pranojmë ato”.
Rudiger vijon duke iu përgjigjur pyetjes nëse ndihet lider: “Është e vështirë të flas për veten si lider, thjesht përpiqem të bëj punën time. Trajneri vendos se kë merr në krah në konferencën për shtyp, varet nga ai. Të tjerat nuk më interesojnë”.
Rudiger nënvizoi aspektet që duhen ndryshuar në krahasim me një vit më parë: “Ne duhet të jemi gjithmonë pozitivë. Do të jetë e vështirë kundër Manchester City, por jemi Real Madridi dhe kemi besim te vetja. Jemi të fortë dhe në formë, jemi një familje dhe kjo është ajo që ka rëndësi”.
I pyetur për sulmuesin më të vështirë me të cilin është përballur ndonjëherë, gjermani shtoi: “Kun Aguero. Tani është Haaland, i cili është një lojtar që mendoj se jeton nga pasimet (e bashkëlojtarëve për të). Nuk mund të mendojmë për t’i ndaluar të gjithë ata, por duhet të përpiqemi ta kontrollojmë norvegjezin sa më mirë që mundemi”.