Mesfushori rumun Kristian Dragoi përveç Flamurtarit dhe Kukësit, duket se është më afër ekipit të Tiranës. Burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se ditët e fundit janë shtuar kontaktet me drejtuesit e lartë të klubit bardheblu të cilët I kanë shprehur dëshirën për të firmosur për ta. Dragoi në fakt e mbyll në fund të këtij muaji kontratën që ka patur me Vllazninë dhe është vënë në kërkim të një ekipi tjetër. Dëshira e tij është të qëndrojë sërish në Shqipëri. Drejtuesit kuqeblu thonë se ia kanë bërë ofertën për të rinovuar por mesa duket, autori I pesë golave për ta në kampionatin e fundit parapëlqen të bëjë një zgjedhje tjetër.


Në kushte të tilla, nëse ia plotësojnë kërkesat financiare, Dragoi duket shumë afër firmën me Tiranën. Kjo e fundit bëhet e ditur se është e gatshme t’I ofrojë të njëjtën kontratë që ka patur me Vllazninë megjithatë çdo gjë do sqarohet në ditët e ardhshme. Rumuni do udhëtojë drejt Amerikës ditën e premte dhe me shumë mundësi deri atë ditë do ta ketë përcaktuar fatin e tij të mëtejshëm. Gjasat janë që ai të vishet bardheblu sezonin e ardhshëm.