Rusia vijon të bindë, teksa mposhti edhe Egjiptin e Muhamed Salah me rezultatin 3-1, në ndeshjen e dytë të zhvilluar në këtë edicion të kampionatit Botëror.
Vendi organizator i Botërorit prek kështu kualifikimin për në fazën e 1/8-ave, të cilin e ka arritur praktikisht, ndërsa nesër mund ta sigurojë edhe matematikisht.
Në sfidën e mbrëmjes në Shën Petersburg, Egjipti ia doli të rezistojë në 45 minutat e parë, për të pësuar 3 gola në pjesën e dytë.
Fillimisht ishte Fathy që devijoi në portën e tij një gjuajtje të rusëve, ndërsa më pas Cheryshev dhe Dzyuba në minutat 59 dhe 62, trefishuan avantazhin.
Në minutën e 73-të, VAR ndërhyri për të akorduar një penallti në favor të Egjiptit, të cilën e ekzekutoi saktësisht sulmuesi kryesor i tyre, Muhamed Salah, duke çuar shifrat në 3-1, rezultat që mbeti i pandryshuar deri në fund të ndeshjes.