Rustem Hoxha, një nga pikat e forta të skuadrës së Teutës, në një prononcim që ka dhënë për “Rtshsport” ka folur për situatën në Durrës, kthesën që presin të gjithë ndaj Vllaznisë, merkaton dhe sulmuesit. Rustem Hoxha është një lojtar me eksperiencë në Superiore dhe ai pret fitoren ndaj kuqebluve, nesër në “Niko Dovana”.

Vllaznia
Ja si e ka nisur ai prononcimin e tij: “Ndeshja me Luftëtarin solli rezultat zhgënjyes. Po bëjmë përgatitjet e duhura që ta fitojmë këtë ndeshje dhe shpresoj që të kemi fat. Vllaznia ka një ekip shumë të mirë, që mbron në grup dhe është shumë e vështirë për t’i shënuar. Por e kemi përgatitur mirë, luajmë sërish në fushën tonë dhe shpresojmë që të marrim 3 pikët”.

Sulmi
“Unë mendoj që mbrojtjen e bën tërë ekipi, ashtu si dhe për sulmin, është tërë ekipi që lufton për Teutën. Ndaj të gjithë duhet që ta ndihmojmë sulmin. Merkato ka qenë efikase, kemi cilësi dhe lojtarët që kanë ardhur janë cilësorë, por për Gomez është kampionat i ri, ai do kohën e vet.

Por jemi në një fazë delikate, na duhen pikët dhe shpresoj që të shënojnë. Ky kampionat është shumë i fortë, ashtu sikurse ekipet kanë luhatje. Shpresoj që ta mbyllim me trofe në fund”, – tha Rustem Hoxha, një nga lojtarët e spikatur të Teutës këtë sezon./Vipsport/