Opinion nga Ramadan BIGZA

Më shumë se një pyetje kërkohet një përgjigje nga qeveria për të stimuluar financiarisht sportistët që po i japin famë Shqipërisë. Ka ikur koha kur stimujt ktheheshin në barsoleta, siç ka ngjarë dikur në Shkodër. Kur njërit i thonë për Fletë lavdërimi dhe ai i përgjigjet “Vare në derë të fermentimit”.

Më ka mbetur në mendje kjo pyetje që iu drejtua këto ditë në një studio televizive Kampionit të Europës, Erkand Qerimaj. Duke qenë për vite të tëra një sportist i suksesshëm, natyrshëm lind dëshira për të mësuar diçka më shumë për ato që njeriu nuk ka arritur dot të mësojë deri tani për një kampion Europe. Për një sportist cilësor, i cili, që në moshën 14-vjeçare rend në sallonet europiane e botërore. Dhe një ndër këto intimitete është padyshim pasuria.

Pra, sa i pasur është Erkand Qerimaj, sa të pasur janë ata, që dikur kanë qenë idhujt tanë?

Dua të kthehem disi mbrapa në kohë për të kujtuar disa shembuj që lidhen me këtë problem.

Kohë më parë, një nga atletet më të famshme të Shqipërisë punonte pastruese në një institucion të njohur arsimor të vendit. Medaljet e saj të shumta ishin vetë historia e saj e suksesshme për vite të tëra. Por në një farë mase ishte edhe vetë historia e një pjese ndër më të suksesshmet e atletikes sonë. Jam i sigurt se po të ishte jashtë vendit, ajo atlete me ato rezultate dhe atë kredo sportive që kishte, me siguri do të ishte një nga më të pasurat e qytetit të vet. Në fakt, ajo ishte një pastruese e thjeshtë, që kohën e shtynte duke bërë humor me studentët, të cilët nuk e dinin në fakt se me kë kishin të bënin.

Mbase ju kujtohet Ymer Pampuri, një nga ikonat e peshëngritjes sonë, kampion i botës më 1972. Po të mos ishte drejtues institucioni një nga kolegët e tij, ai ndoshta nuk mund të punonte as si portier aty ku ishte.

Ndërsa “17 nëntori” përgatitej të ndeshej për kupat e Europës me një nga skuadrat më të njohura të kontinentit, në sektorin e jashtëm të Komitetit të Përgjithshëm të Fizkulturës, kishte mbërritur një faks, ku kundërshtarët kërkonin të dinin se çfarë makine dispononte kapiteni i atëhershëm i “17 nëntorit”, e cilës markë ishte kjo makinë dhe vilën ku banonte ai. Shikuam njëri-tjetrin me zotin Sami Dibra, i cili atëherë ishte përgjegjës i sektorit të jashtëm sepse e dinim që mjeti me të cilin lëvizte kapiteni ynë ishte biçikleta. Sigurisht që kjo ishte një kërkesë e paimagjinueshme për kohën në vendin tonë, po krejt normale në kushtet, ku Europa fliste me një gjuhë ndryshe nga ne.

Përse u larguan sportistët tanë?

Pothuajse të gjithë u larguan për një jetë më të mirë, por edhe për një karrierë më të suksesshme në perëndim. Ata ishin të vetëdijshëm se mund të bënin më shumë, mund të ishin shumë më të suksesshëm e sigurisht, edhe shumë më të pasur. Gjithçka lindi si një shkëndijë kundër regjimit për të shpërthyer me ikjet masive pas viteve ‘90. Por duke mos e shtrirë problemin tim më gjerë, pra në sporte të tjerë, dua të ndalem tek peshëngritja.

Pirro Dhima u bë sportisti më i famshëm në botë, teksa fitoi medalje në 4 olimpiada, në tri prej të cilave medalje të arta. Ndërkohë që sportistë të tjerë, bashkëmoshatarë me të, arritën të bëhen kampionë bote e nënkampionë të saj. Mosha bën punën e vet dhe ata tashmë janë larguar nga sporti, por duhet thënë se aq sa i kanë dhënë atij, me të drejtë edhe janë shpërblyer. Asnjëri prej tyre nuk ka pasur fatin e keq, në mund ta quaj kështu, të Ymer Pampurit apo edhe të ndonjë peshëngritësi tjetër, që ndonëse ishte shumë i talentuar, madje edhe rekordmenë në peshën e tij, nuk arriti dot të korrë frytet e punës së tij të shkëlqyer.

Ku ndryshojnë Pirro Dhima dhe Erkand Qerimaj?

Ai që i njeh shumë mirë të dy është ish trajneri i dikurshëm i Pirro Dhimës dhe që fatmirësisht është edhe trajneri i tanishëm i Erkand Qerimajt, Zef Kovaçi. Ndërsa Erkandi stërvitej në kushtet e mrekullueshme që i kishin ofruar Pirroja, si kryetar i federatës greke të peshëngritjes apo Luan Shabani si trajner i përfaqësueses greke, me Zefin kam bërë këtë bisedë rreth dy emrave të mëdhenj. Më troç e kam pyetur se çfarë kanë të përbashkët Dhima dhe Qerimaj. Dhe ai, falë njohjes së gjerë që kishte por edhe kulturës qytetare që e karakterizon, më tha: “Dua të them se jemi shumë të kënaqur. Është e treta herë që vijmë në këtë qendër stërvitore dhe gjithnjë jemi ndjerë mirë. I kemi të gjitha kushtet për t’u përgatitur sa më mirë. Patjetër, që këtu siç tha edhe Erkandi, është edhe kontributi i Pirro Dhimës dhe i federatës sonë patjetër. Erkandi ka padyshim synimet e tij të mëdha. Ai është tashmë një sportist profesionist, që ka hyrë në elitën e peshëngritësve të njohur jo vetëm në kontinentin tonë, por edhe në botë, paçka se nuk është shumë i ri. Ju më pyetët se ku ndryshojnë Pirro Dima nga Erkand Qerimaj dhe unë po ju përgjigjem: Ata kanë një gjë të përbashkët, etjen për të arritur majat. Kanë të përbashkët ambicien. Kanë të përbashkët vullnetin e jashtëzakonshëm për t’u stërvitur. Kanë një inteligjencë të madhe njerëzore dhe profesionale sepse pa ato nuk bëhesh dot sportist i cilësisë së lartë. Të dy kanë pasur mbështetjen e familjeve të tyre, çka është e domosdoshme për një sportist cilësor. Këto lloj sportistësh e kanë të domosdoshëm këtë kujdes, sepse ecin me shpejtësi të mëdha”.

Përse u larguan?

Zefi kujton edhe ato vite të largimit të Pirros, Luanit dhe Kokës dhe thotë se ata ishin grumbulluar për të marrë pjesë në kampionatin botëror. Ky kampionat do të zhvillohej në muajin maj të vitit 1991. Pirro mori medalje të artë, gjithashtu edhe Luani mori një të artë dhe dy argjendi, ndërsa Koka tre të argjendta. Këto nivele ishin. Siç ishte atëherë në Shqipëri, kur largohej njëri e largohej tjetri, kështu ndodhi edhe me peshëngritësit, të cilët kërkuan një jetë më të mirë.Ishin djem shumë të talentuar dhe kishin një ambicie për të arritur rezultate më të mira. Kishin arritur rezultate mjaft të mira për të rinjtë dhe donin t’i arrinin ato edhe me të rriturit. Dhe këto nuk vonuan, por e treguan veten se kush ishin. Dua të kthehem edhe një herë në Shqipërinë e atyre viteve. Niveli i këtyre sportistëve ishte shumë i lartë, por trajtimi ekonomik edhe moral linte për të dëshiruar. Të gjithë e dinë tashmë se Pirros me gjithë ato rezultate, nuk i dhanë as të drejtën për të vazhduar Institutin e Fizkulturës. Kjo ishte një nga arsyet e largimit. Këto ishin shkëndijat e vogla, që sollën sigurisht largimin.

“Fletë lavdërimi? Vare në derë të fermentimit”

Kujtuam se u largua një herë e përgjithmonë ajo kohë kur sportistët kishin si stimul një fletë lavdërimi. Më kujtohet se pas një gare të fortë çiklistike, Ibrahim Sykja mbërriti i pari në Fier dhe si shpërblim i dhanë një vepër të shokut Enver. Sykja i guximshëm edhe atëherë nuk ndenji pa e ironizuar këtë fakt, duke thënë se “në qoftë se donte ndokush me lexu veprat e udhëheqësit, i kishte ai të gjitha”. Çiklistët ashtu si dhe sportistët e tjerë kishin nevojë për stimuj materialë, sepse ishin si të thuash nderi i sportit të sakrificës. Por kjo ishte dhe mbeti vetëm një ëndërr, aq sa një kampion i madh në kufijtë e legjendës si Agim Tafili u nda nga jeta në kushte të një emigracioni ekonomik. Kujtuam se u harrua kjo gjë, por jo. Për një vlerësim më të mirë ekonomik braktisi Shqipërinë dhe përfaqëson Bullgarinë kampioni i botës Elis Guri. Po kthehem edhe një herë aty ku e nisa këtë shkrim, tek pyetja, që iu bë në studio Erkand Qerimajt se “sa i pasur je”? Ai duhej të ishte shumë i pasur. Është 23-vjeç dhe ka 9 vjet, që është i suksesshëm jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë. Kur flas për Erkandin, flas edhe për Romela Begën, sportisten fantastike, që gjithashtu falë sukseseve të saj flet me gjuhën e rekordeve europiane. Por përgjigja e Erkandit e thënë natyrshëm, që “kam marrë një shtëpi me kredi…”, tregon sesa larg është qeveria në plotësimin e detyrimeve të saj ekonomike ndaj njerëzve të tillë.

E pra, në kushtet e sotme ata janë kushti më kryesor për arritjen e rezultateve të larta. Në një intervistë të dhënë pak kohë më parë Erkandi pat thënë: “Unë jam optimist. Mund të them se nuk jam shumë larg rezultateve më të mira në botë në peshën time. Natyrisht që kërkohen kushte më të mira dhe një motivim më i madh që të realizohet dhe ai prag që ne ende nuk e kemi finalizuar. Mendoj se futem në kategorinë e sportistëve që kanë rezultate ndërkombëtare dhe duke qenë i tillë, mendoj se niveli i financimit është i paktë, i vogël”.

Sigurisht, që telefonatat, pritjet dhe përcjelljet kanë rëndësinë e tyre por njerëz të tillë si Erkand Qerimaj, Romela Begaj e shumë e shumë të tjerë, nuk duhet të mbesin njerëz të zakonshëm, kur ata për kushtet e vendit u bënë të jashtëzakonshëm. Ka ikur koha e fletëlavdërimeve. Në radhë të parë qeveria duhet të gjejë mundësi, që këta njerëz të mëdhenj të shpërblehen ashtu siç janë shpërblyer e shpërblehen sportistë cilësorë në vendet e tjera. Koha sportive nuk është një jetë. Ndaj duhen gjetur mundësi për t’u dhënë atyre çfarë u takon, madje më shumë, sepse e meritojnë. Dua ta mbyll këtë shkrim me një urim që i është bërë Erkand Qerimajt në rrjetin social në Facebook “Erkand, urime. Rezultati yt vjen në një kohë jo dhe aq të favorshme për Shqipërinë, por ai është zëri i Shqipërisë që troket fort në dyert e Europës për t’i thënë asaj se e meritojmë një vend mes më të mirëve. Statusi nuk është vetëm politika, por është shoqëria, janë njerëzit e saj të mrekullueshëm, përfaqësuesi më i denjë i së cilës është tashmë kampioni i Europës, Erkand Qerimaj”.