Opinion nga EDUARD ILNICA
Java që lamë pas mund të cilësohet si më “e ndershmja” e kampionatit, kjo për rivalitetin dhe pa ndeshje të kompromentuar, në të gjitha aspektet. Madje pati edhe bukuri, surpriza, tension, kontestime gjykimesh, gabime gjyqtarësh, etj, etj, si rrallëherë në ndeshjet e futbollit shqiptar. Sa reale ishin këto ndeshje duket edhe nga lëvizjet e trajnerëve, të cilët të përgjegjshëm për humbjet (natyrisht që nuk e prisnin dhe këtu është efekti surprizë, por edhe realiteti që pati java 15-të), janë tërhequr burrërisht.
Daja ikën pasi ndihen i “masakruar” nga gjykimet, ndërsa Tafaj ndiente shumë presion në pankinën e tij (normale mendoj, sepse ishte trajner i Tiranës dhe jo i ndonjë skuadre dosido). Por le të kthehemi te ndeshjet më të fundit të kampionatit, në të 7-ta mendoj se u luajt drejt. Kjo u duk jo vetëm nga rezultatet, por edhe nga ritmi, surprizat dhe acarimet e disave, që nuk e parashikonin që do të dështonin, të mësuar ndoshta nga “fitoret e zakonshme”. Laçi kujtoi se fitoi edhe kësaj radhe, por përmbysja nga Flamurtari e bëri takimin të veçantë. Edhe Skënderbeu, që u mendua pas shënimit të golit se do të fitonte me lehtësi dhe me shumë gola ndoshta, mori pikët maksimale thjesht me fat, pasi Apolonia edhe mund të kishte mundur. Po ashtu vuajti edhe Vllaznia ndaj Kukësit, kur u mendua se fitorja ishte e lehtë, meqë u shënua shpejt. Kur mendohej se Besa do të reagonte përballë një Tomori në krizë dhe thuajse të rënë, vjen surpriza tjetër, beratasit shënojnë fitoren e parë në kampionat. Po ashtu në Peqin. Shkumbini i një mijë e një halleve dhe problemeve mund Tiranën, e cila tashmë rrezikon më shumë se kurrë kapjen e një vendi që të çon në Europë. Bylisi nuk del te fitorja, edhe pse përballë kishte Kastriotin. Ndërsa Teuta, edhe pse në pamje duket një fitore e pastër ndaj Luftëtarit, ka vuajtur shumë më shumë, durrsakët thjesht u treguan racionalë, por edhe me fat, pasi miqtë goditën edhe traversën. Pra, një javë e bukur për nga ajo që u pasqyrua në fushën e lojës. Çfarë do të ndodhë në javën tjetër apo nesër në ndeshjet e Kupës së Shqipërisë? Në kupë ka kalkulime dhe normalisht që nuk pres spektakël, është normale të bëhen llogari në këto momente, ndoshta edhe lëshime, por kurrsesi trukime, këtë nuk e mendoj. Ndërsa në ndeshjet e fundjavës për kampionat, në 3 ndeshje do të ketë luftë të fortë sportive, nisur nga objektivat gjithnjë. Jo se te të tjerat nuk mund të ketë, por dueli Tirana-Teuta do të thotë shumë kësaj radhe, shto këtu edhe debutimin e Dedes te Tirana në stol. Por ndeshjen më të luftuar e parashikoj atë të Kavajës, mes Besës dhe Shkumbinit, ku vendësit do të kenë edhe trajner te ri. Një duel i fortë do të jetë edhe në Gjirokastër. Luftëtari ka ndoshta shansin e fundit, aq më tepër që luan në shtëpi, ndërsa Vllaznia është entuziaste më shumë se kurrë dhe ky besim e bën më të lirshme. Por le të presim deri në fundjavë më mirë…