Pasi turbulloi ujërat në merkaton e verës, Armando Broja po bën të njëjtën gjë edhe tani. Emri i sulmuesit shihet në të gjitha mediat e huaja, teksa shumë skuadra kanë “mprehur dhëmbët” duke qenë se merkatoja e janarit po afron. Shqipëria mbetet një objektiv për Milanin dhe sipas asaj që shkruan “Corriere dello Sport”, Maldini dhe Masara janë të interesuar, por do të duhen 35 deri në 40 milionë euro për të hyrë në rrugën e duhur.

Milanit i duhet një sulmues i ri, duke marrë parasysh edhe moshën e Ibrahimoviçit e mundësinë që ai të tërhiqet, dhe Broja është lojtari që do të ndiqet nga kuqezinjtë. Por nga ana tjetër, në lëvizje janë vënë edhe rivalët e qytetit, Interi, me “Tuttomercatoweb” që shkruan se Bepe Marota është interesuar te drejtuesit e Çelsit për Brojën dhe ka kërkuar më shumë informacion për të. Kjo lëvizje është edhe një përgjigje për konkurrencën që ka nisur në Serinë A për 21-vjeçarin, pasi edhe Napoli e ndjek prej kohësh.

SEVILJA LËVIZ NË SPANJË

Ekipi luzitan ka disa opsione në Premier Ligë, në lidhje me afrimin e një sulmuesi. Mes të gjithë emrave, dje në radarin e Seviljës është shfaqur Armando Broja. Sipas gazetarit Ekrem Konur, skautët e Seviljës ishin të mërkurën që kaloi në stadiumin “Gtech Community” për të parë sulmuesin nga afër në ndeshjen midis Brentfordit dhe Çelsit, e cila përfundoi 0- 0, por në të cilën Broja e nisi si titullar me blutë dhe qëndroi në fushë për një orë.

ÇELSI I BESON- Broja, i cili ka luajtur deri tani 16 ndeshje për Kombëtaren shqiptare, në Premier Ligë këtë sezon është aktivizuar gjithsej 166 minuta, të shpërndara në tetë ndeshje, në të cilat ka shënuar një gol.

Pavarësisht gjithçkaje, “The Sun” shkruan se Çelsi i beson Brojës për të ardhmen, duke menduar se do të bëhet një lojtar i madh dhe shumë i rëndësishëm dhe për këtë blutë i kanë dhënë atij një vend për herë të parë në skuadrën A, pasi e huazuan dy herë, te Viteshe dhe Sauthemptoni. Po ashtu, sulmuesi rinovoi në shtator me londinezët deri në vitin 2028, kështu që mundësia e vetme është nëse Çelsi vendos që ta lërë në huazim në merkaton e janarit.