Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) vendosi ditën e sotme të refuzonte kërkesën e Skënderbeut për të marrë pjesë në Kupat e Europës.

Kësisoj, ekipi korçar mbetet automatikisht pa Champions League dhe në vend të tij do të luajë Kukësi.

Një nga “aktorët” që kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm të Skënderbeut është mesfushori Sabien Lilaj.

Për këtë, newsport.al kontaktoi fantazistin për të marrë një mendim të tij në lidhje me këtë vendim.

Shkurtimisht ai u shpreh: “Nuk kam çfarë të them. Më vjen keq për këtë vendim“. I pyetur më pas se cila do të jetë e ardhmja e tij, Lilaj befasoi teksa zbuloi që është larguar nga Skënderbeu.

“Unë mund t’iu them që e kam mbyllur me korçarët. Pres të likuidohem, ndërkohë po shoh mundësi të tjera. Emra konkretë nuk kam“, deklaroi për newsport.al, Sabien Lilaj.