Sabien Lilaj ka qenë një nga futbollistët që ka bërë historinë me Skënderbeun, por së fundmi pagesat e prapambetura u bënë shkas që të kishte një kërkesë të tij në federatë për ta zgjidhur kontratën.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, mesfushori, i cili është pjesë e Gabalasë në Azerbajxhan, tregon diferencat mes Shqipërisë, komenton atë që u ndodhi ish-shokëve të skuadrës në Fushë-Krujë. Ish-mesfushori i korçarëve nuk e pranon dot situatën që ndodhet Skënderbeu, ndërsa nuk lë pas as një koment për trajnerët Shehi dhe Shkëmbi, me të cilët ka luajtur.

lilaj5

U bëtë disa muaj në Azerbajxhan, si është nëse e krahasoni me kampionatin shqiptar?

Krahasim për nga niveli i futbollit është e vështirë që të bëj, sepse përveç Karabakut, që mendoj se është një nivel më i lartë, ekipet e tjera janë pothuajse si në kampionatin shqiptar. Por, janë kushtet ato që e bëjnë diferencën. Stadiumet janë të një shkalle më të lartë për nga cilësia. Çdo gjë është perfekte.

Gjithashtu, është shumë qetë dhe tifozët nuk krijojnë probleme. Kur dëgjon së fundmi se çfarë ka ndodhur në Fushë-Krujë me futbollistët e Skënderbeut, është e vështirë të flasësh dhe të paktën nga kjo anë jam më i qetë.

Meqenëse e prekët këtë temë, a keni biseduar me shokët te Skënderbeu për ngjarjet e fundit. Ju thanë çfarë ka ndodhur?

Po, kam folur me Vangjelin dhe më ka treguar që ka qenë një tmerr i vërtetë. Kisha shumë kohë që nuk dëgjoja të tilla ngjarje dhe m’u duk sikur jemi kthyer dhjetë vite mbrapa. Shpresoj të eliminohen sa më shpejt, të mos ndodhin më, sepse janë një fytyrë e keqe për imazhin e kampionatit shqiptar dhe të futbollit në Shqipëri.

6 humbje radhazi te Skënderbeu. Si e shpjegoni ju këtë situatë dhe sipas jush kush ka ndikuar?

E përmenda edhe më lart që nuk është një situatë e mirë për Skënderbeun. Gjashtë humbje kishin kohë që nuk ndodhnin dhe nuk e di si ka mundësi. Është e vështirë të thuash se çfarë ka ndikuar nëse nuk ndodhesh brenda grupit. Sipas meje, është e rëndësishme që të ndryshojë sa më shpejt kjo situatë, pasi në të kundërt, nëse nuk ndodh, gjendja mund të përkeqësohet dhe të jetë e vështirë që më vonë të dalin. Unë nuk jam mësuar që ta shikoj Skënderbeun në këto pozita në vitet e fundit dhe më mbetet vetëm të shpresoj që të sa më shpejt të ndryshojë.

Sipas jush, kush do ta fitojë titullin këtë sezon?

Partizani duket shumë kompakt dhe ka treguar një formë të mirë. Por gjithashtu edhe Kukësi ka bërë shumë blerje dhe është fuqizuar në merkato. Besoj se do të jetë një luftë mes këtyre dy ekipeve. Pa harruar edhe skuadrën e Teutës që po zhvillon lojëra të mira.

Shehin dhe Shkëmbin i keni pasur shokë ekipi, po tani si i shihni në rolin e trajnerit?

Është e vështirë që t’i shohësh në rolin e trajnerit (qesh…). Sepse vetëm një vit më papara Shehi e la futbollin dhe Shkëmbi dy vitet e shkuara. Për mua që kam luajtur me të dy, është e vështirë që t’i shoh si trajnerë. Shehi është duke hasur probleme. Sigurisht që dihej se nuk do të kishte situatë të lehtë te Skënderbeu pas largimit të disa lojtarëve dhe problemit të UEFA-s. Kurse Shkëmbi besoj se po bën mirë dhe me të në stol është një Teutë e bukur. Janë bërë surpriza e këtij kampionati dhe shpresoj që të luajnë në Europë vitin tjetër.

Si e keni zgjidhur gjyqin me Skënderbeun për borxhin?

Kemi arritur një marrëveshje, në bazë të së cilës do të më shlyejnë me këste. Jam i kënaqur që situata u zgjidh në këtë formë dhe me mirëkuptim, sepse pas të gjithë atyre viteve të bukura që kam kaluar në Korçë, nuk donim që të shkonim nëpër gjyqe. Për fat të mirë, u gjet një zgjidhje e mirë për të dyja palët.

A e keni ndjekur Superioren këtë vit dhe çfarë ju ka bërë përshtypje?

Të them të vërtetën, kam ndjekur vetëm rezultatet dhe nuk është se kam parë ndeshjet. Përshtypje më bën që Skënderbeu ndodhet në mesin e tabelës, sepse kishte vite që nuk e gjente veten aty. Kam vënë re që Teuta ka zhvilluar një nivel një nivel loje të mirë, Partizani dhe Kukësi që vazhdojnë të luftojnë. Gjithashtu, afrimi i Valdet Ramës më ka bërë përshtypje dhe shpresoj që të paraqitet mirë dhe t’i japë një marsh tjetër kampionatit shqiptar.

Çfarë synimi keni këtë vit në raport me objektivat e ekipit?

Objektivi personal është që të paraqitem sa më mirë, në mënyrë që edhe klubi ku jam të arrijë objektivat e veta, por edhe që të vazhdoj të jem pjesë e Kombëtares. Në fund të sezonit shpresojmë, në qoftë se vjen diçka e mirë, për të lëvizur në një ekip më të mirë. Referuar skuadrës, objektiv këtë vit është që të arrijmë Kupat e Europës.

A keni një kampionat të preferuar për të lëvizur, një dëshirë?

Për momentin jam i përqendruar këtu dhe nuk është se kam ndonjë dëshirë, por duke parë e duke bërë, siç thotë edhe shprehja popullore. Çdo njeri gjithmonë mundohet të synojë për më mirë dhe më lart në karrierë apo çdo aspekt, ndaj mbetet për t’u parë se çfarë do të arrij në të ardhmen. Të shpresojmë për më mirë.