Arrigo Sacchi ka bërë analizën e tij për fundjavën e kryesuesve të Serie A, garën e titullit atje dhe rënien e Juventusit në shtëpi ndaj bergamaskëve. Për “Gazzetta dello Sport”, ish-trajneri i njohur italian shkruan si më poshtë:

“Një leksion futbolli. Ky është përkufizimi i duhur për të përshkruar fitoren e Atalantës në fushën e Juventusit. Një dominim mbresëlënës i skuadrës së Gasperinit, i ndërtuar mbi vite punë, stërvitje intensive, sakrifica dhe përkushtim. Këto janë netët kur shpërblehen përpjekjet e mëdha dhe Gasperini e meriton një sukses të tillë, sepse të fitosh me një rezultat kaq të thellë në Torino nuk është diçka e zakonshme. Ai ka ndërtuar një kryevepër, e ka treguar fillimisht në Itali dhe më pas në Europë, tani shumë trajnerë përpiqen ta imitojnë. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm për një trajner që, për më tepër, ka arritur të ruajë nivelin e lartë edhe duke ndryshuar lojtarët në rrjedhën e viteve.

Atalanta e sotme dhe e kaluara, të ndryshme, por e njëjta ADN
A ju kujtohet Atalanta e parë, ajo që i habiti të gjithë? Ajo kishte lojtarë të tjerë, por filozofia e lojës mbeti e njëjtë. Gasperini është një mjeshtër i vërtetë, që ka ditur t’i përcjellë skuadrës së tij parime të forta teknike dhe morale, duke bërë që ndryshimi i lojtarëve të mos ndikojë në identitetin e skuadrës.

Dikur ishin Ilicic dhe Papu Gomez, sot janë Lookman, Retegui dhe De Ketelaere, por stili i lojës nuk ka ndryshuar. Kjo tregon se gjithçka bazohet te skema dhe ideja. Sigurisht, interpretimi i lojtarëve është i rëndësishëm, por pa strukturën dhe planin e qartë të lojës, asgjë nuk mund të funksionojë.

Fitorja e Atalantës, sipas mendimit tim, e eliminon përfundimisht Juventusin nga gara për titull, duke lënë në lojë trion mes Interit, Napolit dhe Atalantës. Bardhezinjtë tani duhet të mbrojnë me çdo kusht vendin e katërt, sepse nëse Lazio fiton ndaj Udineses, mund t’i kalojë në renditje.

Interi, një kandidat i fortë për gjithçka
Interi vuajti kundër Monzës, gjë që më befasoi, por pas një ndeshjeje të rëndësishme në Champions League është normale të ketë rënie fizike dhe psikologjike. Gjithsesi, fakti që rimorën veten dhe përmbysën ndeshjen nga 0-2 në 4-2 tregon forcën dhe karakterin e kësaj skuadre.

Interi ka cilësi teknike, përvojë dhe personalitet, por mbi të gjitha ka një strukturë të fortë taktike dhe manovër loje mjaft të zgjuar. Ata e përdorin të gjithë gjerësinë e fushës, e lëvizin topin shpejt nga e djathta në të majtë dhe kanë një disiplinë të jashtëzakonshme taktike. Kjo është meritë e Simone Inzaghit, që po tregon se është një trajner i madh.

Nëse arrijnë t’i menaxhojnë forcat me zgjuarsi, mund të luftojnë për ta fituar titullin kampion, Champions League dhe Kupën e Italisë. Nuk do të jetë e lehtë, por Interi i ka cilësitë e duhura për ta bërë këtë.

Napoli, rikthimi në formë me Conten në krye
Napoli është vetëm një pikë pas Interit dhe po del nga periudha e vështirë. Fitorja ndaj Fiorentinës tregoi një përmirësim të dukshëm, edhe pse rrezikoi disa herë.

Antonio Conte e ka shkundur skuadrën dhe ka arritur t’u transmetojë lojtarëve energjinë dhe mentalitetin e tij në një kohë rekord. Ai është një trajner që kërkon gjithmonë maksimumin dhe tani Napoli duhet të gjejë freskinë e manovrës dhe qarkullimit të topit që kishte në fillim të sezonit.

Fundi i sezonit do të jetë i lodhshëm, por menaxhimi i energjive do të jetë vendimtar për të parë nëse Napoli do të mund të shkojë deri në fund në garën për titull. Tifozët janë të zjarrtë, ekipi është i motivuar dhe gjithçka është e hapur.