Armando Sadiku do të jetë një futbollist i Luganos të paktën për pjesën e dytë të sezonit pasi ka kaluar me sukses testet fizike të cilave u është nënshtruar sot në praninë e mjekëve të Levantes por edhe të klubit zviceran në Valencia. Sulmuesi dëshironte kthimin në Zvicër dhe palët janë shumë pranë akordit, thjesht po diskutojnë detajet e fundit ekonomike para zyrtarizimit.

Sipas mediave zvicerane, Sadiku do të kalojë në formë huazimi deri në fund të sezonit te Lugano, me të drejtën e blerjes përfundimtare të kartonit nga klubi zviceran, por diskutimet po zhvillohen pikërisht për shumën që duhet paguar.

Meqë janë kaluar të gjitha dyshimet rreth formës së lojtarit, pas vizitave të sotme, presidenti i Luganos ka nisur bisedat konkrete për të kthyer për herë të tretë në klub Sadikun dhe është gati të shpenzojë për të siguruar kartonin e tij duke njohur cilësitë e futbollistit.

Ai ka hequr edhe pengesën e fundit që kishte, ish-sulmuesin e Austrisë, Mark Janko, i cili ishte pjesë e klubit zviceran këtë sezon. Janko nuk është grumbulluar me klubin dhe sipas burimeve nga Zvicra, ka vendosur të lërë futbollin pasi i është kërkuar të largohet nga Lugano, me palët që kanë prishur me mirëkuptim marrëveshjen ekzistuese.

Kjo i jep lirshmërinë financiare Luganos që të nënshkruaje me Sadikun dhe të shpresojë që falë kontributit të shqiptarit, të kthehet përsëri si pjesëmarrës në turnetë europian, siç bëri dy vite më parë. /vipsport/