Dy lojtarët e mbetur në provë te kuqeblutë, qendërmbrojtësi Kristi Marku dhe mesfushori Albin Sadrijaj, janë aktivizuar edhe në miqësoren e djeshme ndaj Tërbunit.

Marku e ka nisur nga minuta e parë, ndërsa kosovari Sadrijaj u hodh në fushë nga Brdariç në pjesën e dytë. Për të dy lojtarët nuk ka ende një vendim përfundimtar nga trajneri kuqeblu, por në ditët në vazhdim do të mësohet më tepër. Qendërmbrojtësi Marku duket se ka më shumë shanse për të firmosur me Vllazninë.

Nga ana tjetër, “Panorama Sport” mëson se Sadrijaj i ka kërkuar trajnerit Brdariç që t’i japë një shans tjetër, pasi nuk ka qenë mirë në aspektin shëndetësor gjatë ditëve të fundit. Ai ka kërkuar më shumë kohë nga stafi për të kaluar një periudhë tjetër prove.

Viktor da Silva dhe Uellington Gustavo janë dy brazilianët që në krahasim me pjesën tjetër të grupit nuk kanë gjendje fizike optimale për shkak se vijnë nga dëmtimet.

Të dy kanë munguar për një kohë jo të vogël në stërvitje, ndërsa dje u aktivizua në pjesën e dytë vetëm Da Silva. Vllaznia zhvilloi edhe një seancë në palestër në paraditen e së martës. Me ekipin është bashkuar së fundmi edhe mbrojtësi Bulatoviç.