Safet Gjici ka folur në një lidhje direkte me Pressing për zhvillimet e fundit në klubin e Kukësit. Presidenti i verilindorëve vlerëson maksimalisht trajnerin Mirel Josa, ndërsa ka cekur shkurtimisht edhe aventurën e shkurtër të Hallaçit në krye të pankinës.

Ai nuk heq dorë nga titulli kampion edhe pse pikët e disfavorizojnë skuadrën e tij. Në fjalën e tij, Gjici u shpreh:

“Kampionatin e fiton më i miri. Normalisht nuk bëhet fjalë për dorëzim, por duhet t’i shohim ndeshjet një e nga një. Nuk heqim dorë, por jemi larg me pikë nga Vllaznia. Kemi prioritet Kupën dhe Europën. Nuk mund të themi 100 për qind që mund ta sulmojmë titullin. Po na erdhi, do tentojmë. Duke parë e duke bërë.

Josa – Natyrisht që klubi vendosi për trajnerin dhe ka menduar që në këtë situatë të merrte këtë vendim. Për shkak të mungesës së pikëve dhe eksperiencës, Hallaçi është i ri me perspektivë, morëm Josën. Duhej një trajner me eksperiencë.

Besoj se është një zgjedhje e mirë, ai ka kohë në kampionat dhe ka më shumë trofe se çdo trajner tjetër. Ka shkuar deri në grupet e Europa League. Mendoj se është zgjedhje e mirë, por futbolli do edhe fat. Josa, bashkë me Hallaçin, besoj se do marrin rezultate të mira dhe do e ngjitin Kukësin aty ku ka qenë.

Trajnerët – E morëm Gegën për të shkuar gjatë. Ishte pafat, prej COVID-it. Sëmundja bëri të veten. Kukësi ka ndryshuar trajnerë sa të tjerët, por flitet se ndërrojmë më shumë. Ndryshimet bëhen vetëm prej rezultateve. Ose edhe dorëhiqen sikur ndodhi me Gegën.

Je i detyruar të bësh lëvizje, nisesh për mirë, por edhe nuk ecën. Kur kemi ndryshuar trajnerë i kemi realizuar objektivat. Kemi 10 vite që marrim pjesë në Europë. Ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin dhe me këtë staf e ekip të marrim rezultatet që na duhen.

Hallaçi – Hallaçit nuk i është premtuar vendi. Meqë e doni më shumë ju Hallaçin se ne… po ia fusni kot. PO ju tregoj të vërtetën. Ai është trajner i ekipit U21. E drejtoi ekipin kur ishte Gega me Covid eci mirë. Pasi u dorëhoq, atëherë lamë Hallaçin. Nuk ishte trajner i përhershëm. Ai është trajner i mirë dhe nuk duam ta djegim. Me rezultate të dobëta digjet. Tani me një trajner me eksperiencë duam të kompletohet dhe të jetë gati për të ardhmen”, tha ai./newsport/