Bisedoi: Mejdan ZHIVANI
Javën, që sapo u mbyll, kjo skuadër është mundur me rezultatin e ngushtë 1-0, në Burrel, një humbje, që është kontestuar gjatë nga krerët e kësaj skuadre, të cilët ai faturojnë arbitrit kryesor Lorenc Jemini. Megjithatë, ata nuk dorëzohen. “Kukësi nuk është më një ëndërr për t’u ngjitur në Superligë, por do të jetë një realitet dhe do ta zbukurojë superligën shqiptare në sezonin e ardhshëm, e ku jetëgjatësia e kësaj skuadre, në këtë kategori, nuk do të jetë kalimtare, por e qëndrueshme dhe dinjitoze, duke mos u dorëzuar asnjëherë”, kështu është shprehur, për gazetën tonë, një nga eksponentët kryesor të ekipit veri-lindor, Safet Gjici, që është njëkohësisht dhe zëvendës-presidenti i kësaj skuadre. Në një prononcim të tij të parë, të një drejtuesi të kuksianëve, për mediat e shkruara, Gjici shpalosur gjithë ambicjet e tij personale dhe profesionale, por edhe të kolegëve të tij, për vendlindjen e tyre, Kukësin, për njerëzit dhe bashkëqytetarët, që e duan futbollin. Ai, në emër dhe të bashkisë së këtij qyteti, por edhe të kolegëve të tij, premton se në të ardhmen, ashtu si dhe deri tani, Kukësi do të jetë model në të gjitha drejtimet, duke përfshirë këtu dhe infrastrukturën sportive. edhe ndërtimi i një stadiumi bashkëkohor në këtë qytet, nuk do të jetë më tabu, e kjo falë ambicjeve, korrektësisë së tyre dhe projekteve afatgjatë, që këta biznesmenë dhe të tjerë, së bashku, për futbollin kuksian, për të ndërtuar një traditë të këtij sporti, që do të shtrinte, gjeografikisht dhe bukurinë e këtij sporti në vendin tonë. Safet Gjici shkon dhe më tej në premtimet apo idenë e tij, që Kukësi, falë edhe bashkëpunimit me Kosovën, që tashmë është shumë afër, do të jetë një urë lidhëse apo kryeqendër e futbollit të kombit shqiptar. E kjo falë bashkëpunimit dhe investimit të pa kursyer në të ardhmen, mbi baza të shëndosha.
Gjici, është luajtur java e dytë e fazës së dytë dhe Kukësi është mundur në Burrel. Kjo humbje u ka demoralizuar ndopak apo ua prishur planet për të ardhmen?
Absolutisht, që jo! Këtu nuk bëhet fjalë për demoralizim dhe për prishje të planeve apo të objektivave. Natyrisht, që është një humbje, që nuk e prisnim, por kjo nuk erdhi si meritë e kundërshtarit, por e arbitrit të takimit, në dëmin tonë.
Këtë e thoni ngaqë keni humbur apo keni fakte?
Asnjëherë nuk kemi dashur dhe nuk duam të merrem me arbitrat, por kësaj here jemi të detyruar të paktën të bëjmë publik qëndrimin tonë. Kemi fakte të mjaftueshme dhe pamjet filmike duken qartë se ne, në Burrel, u ndëshkuam nga një penallti e dhënë në disfavorin tonë, që nuk kishte asnjë lloj elementi për 11-metërsh. Pra kemi fakti se ne jemi mundur nga kryesori Lorenc Jemini, i cili mesa duket, duke shfrytëzuar që ka stemën e UEFA-s dhe të FIFA-s, mendon se mund të bëjë çfarë të dojë me djersën, mundin dhe paratë e të tjerëve. Në fakt nuk është hera e parë, që ky gjyqtarë, në këtë sezon, na ndëshkon në mënyrë të qëllimshme dhe të padrejtë. Edhe në fazën e parë, në Kavajë, po ky gjyqtarë nuk na ka dhënë një penallti në favorin tonë, duke ndikuar direkt në rezultatin e asaj ndeshjeje, ashtu si këtë të shtunë në Burrel. Mua s’më interesojnë se çfarë bëjnë kundërshtarët, por më intereson ekipi im, që nuk kërkon lëmoshë, por kërkon drejtësi dhe korrektësi nga gjyqtarët apo nga faktorë të tjerë, siç edhe jemi ne, në të gjitha drejtimet, me të gjithë faktorët. Sa i takon rastit të Jeminit ne kemi përgatitur një relacion apo një ankesë, si të doni quajeni, që do ta dërgojmë në FSHF, pranë organeve përkatëse.
Çfarë do të kërkoni në këtë rast, pasi pikët kanë ikur dhe nuk kthehen më?
Ne e dijmë, që pikët nuk kthehen, por të paktën të denoncojmë atë çfarë ndodhi në Burrel dhe një gjë e tillë të mos na ndodhë më. Nuk duam gjë tjetër vetëm drejtësi në çdo ndeshje deri në fund të sezonit. Gjithashtu do të paraqesim fakte që tregojnë qartë se në Burrel nuk na mundi kundërshtari, por gjyqtari.
Përveç penalltisë, keni fakte të tjera për këtë ndeshje?
Po, sigurisht! Nuk është vetëm rasti i penalltisë, por edhe episode të tjera, ku mund të përmend presnionin që Jemini bëri për 90 minuta ndaj nesh, duke na dhënë kartona të verdhë me pa të drejtë, apo edhe faulla të atillë, që ishin në disfavorin tonë, ndërsa ndoshta kundërshtari nuk i meritonte t’i merrte. Gjithashtu kujtoj këtu rastin e ndëshkimit me karton të verdhë të mbrojtësit të ekipit “Shpresa” Elvis Prencit, një model në të gjitha drejtimet, por Jemini duket se i kishte marrë mirë informacionet për këtë gjë. Ndoshta edhe i influencuar nga kundërshtarë të tjerë, rival, ai kërkonte që të na ndëshkonte me kartona të verdhë, me pa drejtë, në mënyrë që lojtarët tanë më të mirë, në ndeshje deçizive, të na mungojnë, në takimet ndaj rivalëve direkt, që janë në “luftën” për të siguruar një vend për në Superligë.
Duke lënë mënjanë rastin “Jemini”, pra gjykimin, mendoni se skuadra juaj dha atë që pritej në fushën e Burrelit, të paktën të mos dalë e humbur?
Ne i faturojmë Jeminit, atë që thashë më lart, megjithatë kjo nuk do të thotë se edhe lojtarët dhe stafi teknik mbeten pa përgjegjësi në këtë rast. Ndryshe nga ndeshjet e tjera, Kukësi nuk doli në lojën e vet, të bukur dhe me ritëm, ndoshta edhe nga presioni i arbitrit, përmes kartonave të verdhë apo të kuq si dhe faullave të ndryshëm. Realisht ne, nuk bëmë atë ndeshje apo nuk paraqitëm atë nivel loje, që skuadra e Kukësit i ka mundësitë dhe e ka shfaqur një gjë të tillë, në të gjitha ndeshjet e Kukësit.
Gjithsesi, ju sot (dje) keni zhvilluar dhe një analizë me skuadrën për këtë humbje. Ka patur ndëshkime apo paralajmërime në këtë rast?
Unë e thashë që skuadra në Burrel, mban pjesën e vet të përgjegjësinë për lojën e zhvilluar, pasi Kukësit nuk i ka munguar dhe nuk i mungon asgjë, duke iu plotësuar të gjitha kushtet, ndoshta të krahasuar dhe me skuadra të Superligës. Kështu që në analizën e zhvilluar paraditen e sotme (djeshme) janë marrë masa disiplinore, ku është paralajmëruar stafi teknik, por edhe lojtarët, qoftë dhe me emra konkretë, por s’është e nevojshme të bëhen të ditur emrat. Kështu që presim reagimin pozitiv të ekipit, që në ndeshjen e radhës, ndaj Besës së Kavajës.
Besoni vërtetë se Kukësi i ka mundësitë dhe forcën për ta kaluar me sukses Besën?
Absolutisht që po! Ne e vlerësojmë kundërshtarin e radhës, pasi ka një traditë në futbollin shqiptar, aq më tepër në Superligë, prandaj Kategoria e Parë është një luks të përballesh me kundërshtar të tillë. Gjithsesi, jam i bindur se Kukësi do të shfaqë vlerat e tij më të mira në këtë ndeshje, ashtu siç ka bërë çdo herë tjetër, i bindur se do të arrijmë të fitojmë dhe të ecim përpara në synimin që kemi për t’u ngjitur një kategori më lart.
E shikoni Kukësin në Superligë, përmes vendeve direkt apo me ndeshje shtesë ( siç quhet ndeshje ndeshje play-off-i)?
Mendoj vetëm me sigurimin e vendit direkt, që do të thotë vend i parë apo i dytë dhe Kukësi do të jetë në Superligë. Pra nuk mendojmë dhe nuk do të shkojmë në ndeshje shtesë.
Pra jeni të bindur se Superliga nuk është më një ëndërr për Kukësin?
Jo vetëm nuk është një ëndërr, por tashmë një realitet. Superliga është më afër se kurrë, por gjithsesi asgjë nuk ka mbaruar. Faza e dytë është më e vështirë, në të gjitha drejtimet, se faza e parë, prandaj duhet të dyfishojnë forcat dhe energjitë për ta çuar deri në fund projektin dhe ambicjet, jo vetëm të tonat si biznemenë, por edhe të të gjithë kuksianëve.
Kukësi në Superligë si kalimtar apo do të qëndrojnë gjatë?
Dua të sqaroj diçka fillimisht. Ne tre biznesmenët kryesorë, unë-Ramë Geci dhe Flamur Hoxha, pa lënë mënjanë edhe kryebashkiakun Halilaj, nuk kemi ardhur këtu për të qenë kalimtar dhe kështu nuk do të jetë as Kukësi në Superligë. Këtë punë e bëjmë me shumë kënaqësi për qytetarët tanë, për vendlindjen tyre se vetë jam nga Kukësi dhe e bëj me shumë dëshirë këtë punë. Kuptohet se secili prej nesh ka angazhimet dhe proekupimet e veta, por gjejmë kohë, për t’ia kushtuar dhe futbollit. Kukësi do të jetë gjatë në Superligë, do të jetë një shembull për të gjithë, do të kenë bukuria e kampionatit të ardhshëm. Futbolli shqiptar do të shtrihet akoma më shumë gjeografikisht dhe kjo është shumë pozitive.
Ju po flisni gjithnjë me siguri për ngjitjen në Superligë, por infrastruktura sportive do të jetë problem për t’u licensuar si klub i këtij rangu…
E kemi të qartë dhe këtë. Besoj se e dini që vitin që kaloi është inaguruar fusha e re e stadiumit, kontribut i FSHF-së dhe ka probleme të vogla tek dhomat e zhveshjes, por edhe në ambiente të tjera. Gjatë fushës elektorale të vitit që kaloi kryeministri Sali Berisha na premtoi ndërtimin e një stadiumi të ri dhe bashkëkohor dhe ky premtim do të bëhet realitet, ndërsa ne si biznesmenë, me të mbaruar sezoni i tanishëm, do të investojmë dhe një shumë prej 40-50 milion lekë të reja për rregullimin dhe kthimin e të gjitha ambienteve të stadiumit në kushtet më bashkëkohore. Kjo nuk do të jetë tabu apo thjesht një fjalë e thënë, por një realitet.
A përbën avantazh, fakti që Kosova është shumë afër dhe në të ardhmen mund t’i shërbejë pozitivisht forcimit të Kukësit me element cilësorë, ndonëse deri tani nuk e keni arritur?
Mund të them se në këtë pikë dukemi pak defiçitar, aq më tepër që kampionati i Kosovës ende nuk është njohur nga FIFA dhe UEFA, ne mund të kishim afruar lojtarë cilësor nga vëllezërit tonë kosovar. Megjithatë kjo strategji do të ndiqet në të ardhmen, ku mund të përfitojmë të dyja palët, pse jo dhe Hasi në kategorinë e dytë, që është formuar si skuadër këtë vit. Ndoshta në të ardhmen Kukësi mund të jetë kryeqendra e futbollit tonë mbarëkombëtar.
Së fundmi, mesazhi, që do t’i përcillnit tifozërisë kuksiane…
Në radhë të parë dua t’u falenderoj juve si gazetë për t’i kushtuar vëmendjen e duhur skuadrës së Kukësit. Së dyti mesazhi që do t’i përcillja tifozërisë kuksiane, për rastin konkret, që të jetë sa më e shumë në numër, në takimin e së shtunës, ndaj Besës, me bindjen e plotë se do të arrijmë fitoren, duke treguar kulturë dhe emancipim, ashtu si në të shkuarën. Lojtarëve dhe stafit teknik angazhim maksimal dhe të japin maksimumin për të marrë fitoren, ashtu siç i ka hije Kukësit në fushën e vet dhe siç e kërkojnë objektivat tona. Unë do të jem këtu, jo si kalimtar, por për të qëndruar gjatë pranë Kukësit tim, pranë njerëzve të mi, duke mos u kursyer në investimet e mia.