Përveç uljes të Artan Bushatit në krye të pankinës shkodrane, ditën e djeshme është bërë zyrtare edhe një ndryshim tjetër në të. Safet Osja, një ish- futbollist i njohur i Vllaznisë, ka marrë postin e zëvendëstrajnerit të skuadrës kuqeblu. Nuk bëhet fjalë për një largim të Vioresin Sinanit nga ky post, por tani e tutje do jenë dy zëvendëstrajnerë tek ky ekip. Lajmin e ka konfimuar për gazetën tonë vetë trajneri i parë Bushati kur ka thënë:
“Po, nga dita e sotme Safet Osja është pjesë e stafit tim dhe sëbashku me të, Sinanin dhe Legatën do mundohemi të bëjmë më të mirën gjatë kësaj periudhe për të ngjitur Vllaznisë sërish aty ku i takon të jetë”. Në fakt Osja kishte disa kohë që ishte ofruar pranë skuadrës. Në momentin e udhëtimit të ekipit të parë drejt Ulqinit për stërvitje, Osja u ngarkua të stërviste pjesën tjetër që kishte mbetur në Shkodër. Gjatë kësaj periudhe ai zhvilloi edhe disa ndeshje miqësore me ekipet e Adës dhe Besëlidhjes. Me t’u kthyer ekipi nga Mali i Zi, u mendua se ish-mesfushori i kuqeblu do të rikthehej tek pozicioni i tij, ai i trajnerit të minifutbollit të Vllaznisë por në fakt Bushati e ka dashur ta ketë në staf dhe prandaj tashmë ai do të jetë zëvendëstrajneri i ri i kësaj skuadre. I pyetur në lidhje me këtë emërim, Osja do shprehej kështu: “Për mua është nder që t’ I shërbej Vllaznisë në çdo detyrë që do më ngarkohet. E vlerësoj ftesën e trajnerit Bushati dhe premtoj se do të bëj më të mirën në pozicionin e ri si zëvendëstrajner”. Me kalimin e tij tek ekipi I parë tashmë duhet parë se kush do emërohet në postin e tij, atë të trajnerit të minifutbollit të Vllaznisë.
www.shkodrasport.com