Në morinë e trajnerëve të rinj që po spikasin me punën e tyre në ekipet e moshave në Shkodër, është edhe Saimir Kaloshi. Prej dy sezonesh punon me shumë pasion në rradhët e “Atletik Klub Shkodra”, aty ku po mundohet të tregojë vlerat e tij më të mira në trajnim. Në fakt, ai nuk vjen rastësisht në futboll sepse ka patur një karrierë të gjatë si futbollist.
I datëlindjes 1 shtator 1987, Saimir Kaloshi është rritur bashkë me të vëllanë Suadin tek ekipet zinxhir të Vllaznisë. Më pas duke mos gjetur hapësirë në ekipin e parë të kuqebluve ka lëvizur në ekipe të tjera duke ka patur një karrierë sportive kryesisht në kategorinë e parë. Ai ka luajtur me ekipet e Adës, Tërbunit, Gramshit e Burrelit.
Dy vite më parë vendosi t’i thotë lamtumirë futbollit të luajtur, por jo atij në tërësi. Në shkurt të vitit 2017 është liçensuar nga Federata Shqiptare e Futbollit me liçensën “UEFA B”. Më pas, i bashkohet projektit të disa kolegëve të tij për të krijuar “Atletik Klub Shkodra”.
I besohet drejtimi i ekipit U15 dhe që në sezonin e kaluar, falë një pune shumë të mirë dhe sistematike, arrin ta çojë atë deri në finalen e kampionatit dhe ndonëse nuk shpallet kampion, spikat me performancën e bërë. E njëjta situatë duket edhe sivjet sepse rezultatet pozitive dhe në fund të fazës së parë të kampionatit, “Atletik U15” ndodhet në vendin e dytë të renditjes, me shpresë për të synuar fort të parin.
Por jo vetëm kaq. Trajneri Kaloshi bashkë me stafin e trajnerëve të kësaj shoqate, kanë si objektiv përgatitjen sa më cilësore të sportistëve të tyre dhe ata po e bëjnë siç duhet, duke qenë aktualisht ndër shoqatat me rezultatet më pozitive në Shkodër. Saimir Kaloshi është i vendosur për të vazhduar në këtë rrugë dhe me siguri që karriera e tij dhe si trajner ka për të lënë gjurmë.
© shkodrasport.com