Goli I shënuar ndaj Laçit ka patur shumë rëndësi për Vllazninë sepse ishte ai që I dha fitoren asaj. Pikërisht për këtë arsye, ai merr vlera dhe më të mëdha. Kristian Dragoi pikërisht për këtë duhet vlerësuar sepse e shpëtoi skuadrën e tij ngaqë ky gol erdhi në minutën e 89-të. Por ajo që e bën edhe më të rëndësishëm këtë gol është padyshim sakrifica që bëri ky futbollist për të qenë në fushë dhe për kontribuar për skuadrën e tij. Dragoi është rumun dhe ndoshta një sakrificë të tillë nuk do ta kishin bërë as futbollistët shkodranë që janë pjesë e Vllaznisë aktualisht. Themi kështu sepse në momentin e shënimit të golit ndaj Laçit, mesfushori shumë I shpejtë ka patur dy gjilpëra të bëra në trupin e tij. Kjo është mëse e vërtetë. Këtë e konfirmojë pjestarët e stafit mjekësor të skuadrës shkodrane. Problemet për të, kanë qenë që në ndeshjen e luajtur në Ballsh një javë më parë kur ai u dëmtua në shpatull. Si pasojë e këtij dëmtimi, Dragoi gjatë gjithë javës para ndeshjes me Laçin është stërvitur I veçuar nga grupi si pasojë e dhimbjeve që ndiente. Megjithatë është bërë e mundur që ai të luajë falë një gjilpëre të bërë në shpatull para ndeshjes. Mësohet se ka qenë vetë lojtari që e ka kërkuar një gjë të tillë, nga dëshira e madhe për të luajtur dhe për të kontribuar për Vllazninë që ajo të merrte një tjetër fitore. Kështu është bërë dhe ndeshja ka filluar me rumunin në fushë por sikur të mos mjaftonin dhimbjet në shpatull, në minutën e 32-të të ndeshjes, një nga futbollistët e Laçit I ka ndërhyrë në një moment rëndë në këmbë dhe për rrjedhojë, njëri nga gishtat e këmbës së tij të djathtë ka pësuar frakturë. Një mjekim I lehtë sa për të shtyrë ato minuta të mbetura të pjesës së parë dhe në pushimin e ndeshjes, mësohet të ketë ndodhur diçka interesante. Pasi është mësuar fraktura në gishtin e këmbës, trajneri Duro ka menduar ta zëvendësojë Dragoin teksa I ka thëën Begajt të bëhet gati për të hyrë në fushë. Por në ato momente, në sytë e rumunit që qante nga dhimbja, është konstatuar një dëshirë për të luajtur sërish. Ka biseduar me stafin mjekësor dhe është rënë dakord që të bënte edhe një gjilpërë tjetër dhe të provonte të luante edhe në pjesën e dytë. Pas shumë diskutimesh, është rënë dakord kështu por me idenë se nuk do kalonin shumë minuta dhe ai nuk do rezistonte dot por do të kërkonte ndërrim. Nuk ka ndodhur kështu. Madje Kristian Dragoi është shfaqur si protagonisti kryesor I kësaj ndeshje teksa në minutën e 79-të, I “është vjedhur” mjaft mirë mbrojtësit të Laçit, ka dalë I vetëm përballë portierit Bakaj dhe nuk ka gabuar duke e dërguar topin në rrjetë. Gol ky që do gëzonte të gjithë por jo vetë atë sepse në momentin e rrëzimit në tokë, ka dëmtuar sërish shpatullën prandaj në vend që të festonte shënimin e golit, për disa minuta I është dashur të marrë ndihmën e stafit mjekësor. Në kushte të tilla, ai ka qenë I detyruar të qëndrojë me shumë dhimbje në fushë deri në vërshëllimën përfundimtare të takimit ngaqë trajneri Duro I kishte bërë të tre zëvendësimet. Dhe në fund, vetë Dragoi bën edhe modestin teksa në intervistën e tij të pasndeshjes do të thoshte: “Dua të them se kam pasur dëmtim në shpatull, por dua të falënderoj stafin mjekësor që bëri të pamundurën që unë të jem në fushën e lojës. Jam i kënaqur edhe që ia justifikova atë punë të madhe që bënë me mua. U dëmtova edhe në këmbë, megjithatë këto nuk ndihen kur ke marrë maksimumin”. Në fakt dhimbjet janë ndjerë sepse Dragoi është parë të lërë stadiumin duke çaluar dhe po ashtu me shumë dhembje në shpatull. Megjithatë ka qenë I lumtur se I shërbeu Vllaznisë me golin që shënoi.
Gjergj KOLA