Ai u kthye aty ku i filloi të gjitha. Azdren Llullaku, sulmuesi shqiptar, i lindur në vitin 1988, është kthyer në Itali.

Ai do të luajë me Virtus Entella, në Seria B. Emri i tij u evidentua në mediat italiane në tetor 2016, kur bëri debutimin me kombëtaren e drejtuar asokohe nga Gianni De Biasi.

“Italia më ka dhënë aq shumë, veçanërisht mundësinë që të rritem si njeri dhe si futbollist.

Italia më dha një vend për të jetuar, kështu që për mua kjo është mbi të gjitha”, – tha ai dy vjet më parë, në një intervistë ekskluzive për “gianlucadimarzio.com”.

Historia e tij lëviz. Pasi braktisi luftën në Kosovë, Azdreni gjeti paqe në Tarzo, ku filloi të ndërmerrte hapat e tij të parë si futbollist.

“Ekipi im i parë i vërtetë ishte Esordienti del Vallata, në vitin 1999, kur isha 13 vjeç”, – zbuloi sulmuesi.

Talenti i tij e çoi shpejtë në skuadra të tjera, si Conegliano, Sacilese, Südtirol, Domegliara dhe Tamai. Pastaj, aventura jashtë vendit, e fundit në rend të kohës tek Astana.

Para përvojës së tij me klubin kazak, Llullaku u “diplomua” golashënuesi më i mirë në Superligën e Rumanisë, duke shënuar 16 herë në 20 ndeshje.

Tani rifillon nga Italia, e cila e mirëpret atë me krahë hapur. Së pari, kryetari aktual i Tarzo, Vincenzo Sacchet: “Ai iku nga lufta me nënën dhe vëllain e tij.

Gjithmonë është sjellë mirë dhe ka merituar dashurinë e të gjithëve këtu në Tarzo, – thotë kryetari i bashkisë –

E ndjek Azdrenin si tifoz i futbollit, para se të isha kryetar i bashkisë. Ne mburremi me këtë djalë, i cili luan në ekipin kombëtar dhe është kthyer në Itali për të luajtur në një ekip të Seria B.

Një shembull i këmbënguljes dhe dëshirës për të arritur diçka në jetë. Ai është një djalë i thjeshtë, i cili ka vuajtur dhe kush e njeh fjalën “sakrificë” e kupton më mirë.

Unë do të kisha celebruar dasmën e tij në javën e shkuar, por ai shtyu gjithçka për shkak të nënshkrimit të kontratës së re”, – shpjegoi kryebashkiaku./telesport/