Sulmuesi i Liverpulit, Mohamed Salah, ka barazuar rekordin mahnitës të Kristiano Ronaldos në Premier Ligë pas golit që shënoi në ndeshjen e fundit kundër Uolvesit. 32-vjeçari po shënon rekorde të reja këtë sezon, ndërsa i ndihmoi “Reds”-at të rifitojnë epërsinë prej shtatë pikësh në krye të Premier Ligës nga Arsenali i vendit të dytë.

Sidoqoftë, kontrata e egjiptianit përfundon në qershor dhe Liverpuli po përpiqet me rigorozitet të bjerë dakord për kushte të reja për të rinovuar kontratën. Golashënuesi më i mirë i Premier Ligës këtë sezon dëshiron një përmirësim të rrogës 350,000 £ në javë që mendohet se fiton aktualisht në “Anfield”. Dhe drejtuesit e Liverpulit mund të mos kenë zgjidhje tjetër, veçse të plotësojnë kërkesat e Salahut, pasi aksionet e tij vazhdojnë të rriten pavarësisht moshës së tij.

Salah ka barazuar tashmë sezonin më të mirë të legjendës së Mançester Junajtidit, Kristiano Ronaldo në Premier Ligë për golat dhe asistet. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” shijoi sezonin e tij më të frytshëm në ligën angleze në sezonin 2007-08. Kjo ishte kur ai fitoi çmimin e tij të parë të “Topit të Artë”, një vit para se të transferohej te Reali i Madridit. CR7 shënoi gjithsej 31 gola dhe dha gjashtë asiste në 34 paraqitje. Dhe në total ishin 37 kontribute për gola në Premier Ligë.

Salah, tashmë e ka barazuar këtë shifër gjatë këtij sezoni me 23 gola të shënuar dhe 14 asiste në vetëm 25 paraqitje. Dhe ishyllit të Çelsit dhe Romës i kanë mbetur edhe 13 ndeshje për të luajtur këtë sezon, ku mund ta kalojë lehtësisht legjendën portugeze. Në total në të gjitha kompeticionet këtë sezon, ai ka shënuar 28 gola dhe 19 asiste në 36 ndeshje.

Salah, i cili është i zhgënjyer me vonesën e negociatave për rinovimin e kontratës ka lënë të kuptohet se ai mund të largohet nga Liverpuli në disa raste. Ai zbuloi në nëntor se klubi nuk kishte kontaktuar me të për të lidhur një marrëveshje të re. Dhe muajin e kaluar ai konfirmoi edhe një herë se ky do të jetë viti i tij i fundit në “Anfield” dhe se ai dëshironte që të largohej duke fituar titullin. Deri më tani, pronarët e klubit kanë refuzuar t’i plotësojnë kërkesat e tij për rrogën dhe kohëzgjatjen e kontratës.