Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka luajtur sot ndeshjen e dytë të tij në Ligën e Kampioneve të Azisë me ekipin Jiangsu Sainty. Përballë këtë herë ka qenë ekipi japonez Vegalta Sendai dhe rezultati përfundimtar i ndeshjes ka qenë 0-0. Shkodrani është aktivizuar nga ana e trajnerit të skuadrës së tij në minutën e 60-të të ndeshjes me shpresë se ai do bënte diçka për t’i dhënë fitoren ekipit të tij por nuk ia ka dalë dot. Jiangsu kësisoj nuk ka arritur të marrë fitoren e parë në këtë kompeticion teksa edhe ndeshjen e parë e kishte humbur ndaj Seulit me rezultatin e thellë 1-5. Në atë ndeshje, golin e vetëm për kinezët e pat shënuar pikërisht Salihi. Pas atij goli, ai shënoi edhe në Superkupën e Kinës dhe më pas edhe në ndeshjen e parë të kampionatit kinez duke pasë një mesatare shumë të kënaqshme prej 3 golash në 3 ndeshje. Megjithatë sot “e ka bërë pushim”. Ndoshta edhe ngaqë nuk e ka nisur ndeshjen si titullar nga minuta e parë. Mesa duket, trajneri kishte menduar ta linte pak pushim duke pasë parasysh edhe faktin se ai i është bashkuar disi me vonesë ekipit në stërvitje.
www.shkodrasport.com