Dy futbollistë shkodranë kanë shënuar në ndeshjet e djeshme të ekipeve tona kombëtare, atij përfaqësues të të rriturve dhe atij Shpresa. Hamdi Salihi ka shënuar të vetmin gol të kombëtares sonë në ndeshjen ndaj Rumanisë duke treguar edhe njëherë tjetër se vazhdon të mbetet njeriu-gol i këtij ekipi ndërkohë që Bekim Bala ka shënuar njërin nga tre golat e Shpresave në Poloni.
Tek kombëtarja e madhe përveç Salihit që ka qenë në fushë për 90 minuta, po kaq ka luajtur edhe mbrojtësi Admir Teli që bëri një paraqitje të mirë. Ndërsa tek Shpresat, ka patur më tepër “popullim” të shkodranëve. Përveç Balës që shënoi një gol në humbjen 3-4 ndaj Polonisë dhe luajti 90 minuta në fushë, titullarë kanë qenë edhe Vajushi (90 minuta), Sykaj (90 minuta) dhe Vucaj (74 minuta). Për t’u përmendur fakti që mbrojtësi i Vllaznisë Arsen Sykaj që është njëkohësisht edhe kapiteni i Shpresave, është ndëshkuar me karton të kuq në minutat shtesë të ndeshjes për plotësim të numrit dy të të verdhave.