Ditë e mbarë ka qenë kjo e sotmja edhe për dy futbollistët shkodranë që luajnë në kampionatet e ndryshme të botës. Hamdi Salihi ka shënuar për Jiangsu në Kinë ndërsa Armando Vajushi për Liteks në Bullgari.Por në fakt vetëm goli i këtij të fundit ka vlejtur disi për ekipin ngaqë i ka dhënë barazimin skuadrës së tij. Liteks ka luajtur në shtëpi me Sllavian e Sofjes dhe kanë qenë miqtë ata që kanë shënuar në pjesën e parë me anë të Ivanov. Ndërkohë Vajushi ka arritur ta dërgojë topin në rrjetë në minutën e 59-të duke barazuar shifrat dhe me rezultatin 1-1 ka përfunduar e gjithë ndeshja. Me barazimin e sotëm Liteks është ngjitur në kuotën e 16 pikëve duke mbajtur sërish vendin e dytë në renditje, vetëm një pikë larg Botev Plovdiv që kryeson kampionatin. Ndërkohë shkodrani tjetër Hamdi Salihi ka shënuar gol në Kinë megjithatë ai nuk i ka mjaftuar ekipit të tij Jiangsu Sainty të marrë qoftë edhe një pikë sepse është mundur në fushën e tij me rezultatin 3-2 nga Tianjin Teda. Pas humbjes së sotme rëndohen pozitat për këtë skuadër e cila ndodhet vetëm në vendin e 11-të në renditje. Hamdi Salihi megjithatë është duke bërë maksimumin për këtë skuadër duke shënuar rregullisht për të.
www.shkodrasport.com