Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi është kthyer sërish tek goli pas një periudhë disi të gjatë mungese. Ai ka shënuar pikërisht sot në ndeshjen e luajtur në transfertë ndaj ekipit Toronto FC duke i dhënë fitoren 1-0 ekipit të tij DC United. Edhe në këtë ndeshje, ai nuk e nisi si titullar teksa u fut në fushë në minutën e 64-të të ndeshjes dhe pak minuta më vonë, ai ndoqi me shumë vëmendje një aksion të skuadrës së tij nga krahu i djathtë dhe shfrytëzoi mirë momentin e moszotërimit të topit nga ana e portierit kundërshtar, duke e dërguar atë pastaj në rrjetë. Ky gol duket se ka ardhur në momentin e duhur për Salihin i cili po e vuante së tepër atë por edhe mosaktivizimin aq sa duhet në këto 10 ndeshjet e fundit të kampionatit amerikan. Goli i Salihit vjen edhe para ndeshjeve të kombëtares sonë duke qenë kështu një sinjal i mirë për t’i treguar trajnerit De Biazi se pavarësisht problemeve që po hap në futbollin amerikan, ai nuk ka harruar të shënojë.
www.shkodrasport.com