Katër gola vetëm në ndeshjen e fundit. Në total 13 gola në 15 javë të luajtura në Ligën e Parë austriake, ku është edhe golashënuesi i kampionatit. Hamdi Salihi po përjeton rininë e dytë në Austri, duke bërë atë që di më mirë: Të shënojë! Bomberi po shijon momentin, pa menduar më tepër se ç’duhet për të ardhmen.
“Po shkon pak ndoshta edhe jashtë parashikimeve, por ndihem mirë sepse gjatë gjithë kësaj kohe kam punuar shumë dhe gjithçka po funksionon perfekt. Pastaj pak rëndësi ka sa vite do të luaj, sepse këtë nuk e llogaris sa herë që bëj gol. E rëndësishme është që për sa kohë të luaj të mos bie poshtë këtyre niveleve dhe të mos bëhëm qesharak”-ka deklaruar Salihi per “Supersport”. Me shkodranin në formë të jashtëzakonshme, edhe skuadra e tij Wiener Neustadt ëndërron rikthimin në elitën e futbollit austriak. “Mundësitë janë shumë të mëdha për tu kthyer prej këtij viti në Bundesligë, pasi dy skuadra ngjiten direkt ndërsa i treti shkon në play-off. Po të mbajmë këtë ritëm besoj që do tia arrijmë. Është pak e vështirë sepse Riedi dhe Insbruku janë ekipe më të organizuar dhe me më tepër traditë, por do të ishte e bukur ta arrinim këtë objektiv”- ka shtuar me tej shkodrani. Në këtë moment, Salihi është ndër sulmuesit shqiptarë më në formë. Por, kur flitet për rikthimin e mundshëm në Kombëtare, 33-vjeçari është i vetëdijshëm për realitetin, megjithatë për “SuperSport.al” shprehet gjithmonë i gatshëm për të dhënë kontributin e tij.”Kam treguar se nuk jam kyrsyer asnjëherë për të qenë pjesë e Kombëtares edhe kur luaja në Amerikë apo në Kinë. Kam ardhur gjithmonë me dëshirë. Çdo gjë në shërbim të ekipit Kombëtar, do të kisha qenë i gatshëm për tu afruar apo për ta ndihmuar. Por, duhet të jemi pak realistë: vitet ecin dhe normalisht që trajneri besoj që ka plane të tjera. Përtej gjendjes dhe formës momentale të lojtarëve, i duhet të bëjë edhe vlerësime afatgjata. Por, kur do të jetë nevoja unë jam gjithmonë gati për të ndihmuar ekipin Kombëtar”-deklaron Salihi. Sulmuesi shkodran vazhdon ta ndjekë kampionatin shqiptar, ku vlerëson se Skënderbeu do të jetë shkëputur nga rivalët për titullin prej muajit hjetor, ndërsa nuk ka asnjë peng që këtë vit nuk është pjesë e korçarëve për të luajtur sërish në grupet e Europa League.”Kam parë disa ndeshje të Skënderbeut dhe të Vllaznisë. Skënderbeu është 100% ashtu si e kisha menduar. Edhe pse njerëzit mund të mendojnë se ritmi në Europë të lodh, por është e kundërta. Ritmin që mban gjatë Europa Leagues e mban edhe në kampionat dhe bën diferencë me ekipet e tjera. Besoj se deri në dhjetor Skënderbeu do të jetë shkëputur nga rivalët dhe do të bëjë atë për të cilën është ndërtuar: Që të shpallet kampion.Që në fushë atë ditë (ndeshja me Kukësin) e mora vendimin se koha ime në kampionatin shqiptar kishte mbaruar. Ishte e mjaftueshme ajo që kisha kaluar. Më vjen keq për gjestin dhe gjithçka, por ato janë gjëra që i takojnë së kaluarës dhe mund ti ndodhin kujtdo. Më vjen mirë që Skënderbeu është kthyer shumë shpejt dhe ka ditur të kalojë situatat e vështira të atij fund-kampionati”- deklaroi Hamdi Salihi për “SuperSport.al”.