Ndryshe nga çfarë është shkruar ditët e fundit në gazetat sportive, Hamdi Salihi nuk e ka ndër mend të kthehet e të luajë në kampionatin shqiptar. Kësisoj ai hedh poshtë të gjithë aludimet për bisedime me Tiranën, Partizanin apo ndonjë ekip tjetër. I pranishëm këto ditë të fundvitit në Shkodër për të festuar me familjen e tij festën e Vitit të Ri, ai ka qenë i ftuar në emisionin “Sport Show” mbrëmjen e së hënës. I pyetur për të ardhmen e tij, ai ka thënë:


“Më vjen keq ta them por disa gazetarë kanë abuzuar shumë me emrin tim. Kam patur biseda me to por asnjëherë nuk kam deklaruar se do kthehem në Shqipëri për të luajtur ndërkohë që në gazeta shoh të shkruhet për bisedime me Tiranën, Partizanin etj. Natyrisht që unë nuk e kam për turp të kthehem e të luajë në kampionatin shqiptar nëse nuk gjej ekip tjetër por për momentin nuk e kam në plan këtë gjë. Jam në bisedime me dy klube në Austri dhe një tjetër në Poloni por përderisa nuk kam firmosur, nuk dua ta bëj fakt të kryer. Sa për mundësinë e kthimit tek Vllaznia, sigurisht që një ditë do kthehem për të luajtur e kontribuar për të dhe jo sa për të mbyllur karrierën, megjithatë jo tani sepse planet e mia janë për tjetër gjë për momentin”. Në këtë mënyrë duket se mbyllet kjo histori e zhurmës së madhe të bërë në media për oferta të mëdha të Tiranës apo Partizanit në adresë të tij. Nga sa duket, vetë gazetarët kanë dashur të “shpikin” lajme me emrin e tij. Të paktën këtë ka pretenduar vetë Salihi në këtë dalje publike të tij.
Gjergj KOLA