Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka shënuar përsëri në kampionatin kinez të futbollit për skuadrën e tij Jiangsu Sainty. Ka ndodhur kështu pasditen e sotme në ndeshjen e luajtur në transfertë ndaj ekipit Liaoning Hunyong. Salihi ka qenë ai që ka zhblokuar rezultatin në minutën e 7-të të ndeshjes por vetëm 18 minuta më vonë skuadra vendase ka arritur të barazojë rezultatin me anë të James Chamanga. Pas këtij goli nuk ka patur të tjerë deri në fund të të ndeshjes dhe për rrjedhojë i gjithë takimi është mbyllur në barazim 1-1. Rezultati i sotëm në fakt duhet konsideruar pozitiv për skuadrën ku luan sulmuesi i kombëtares sonë sepse kundërshtari i tij ishte disa vende më lart në renditje.
Ndërkohë pas barazimit të sotëm Jiangsu është pozicionuar në vendin e 9-të në renditje me 11 të grumbulluara. Ndërkohë goli i sotëm ka qenë i pesti për Salihin i cili është edhe golashënuesi më i mirë i skuadrës. Me golin e sotëm ai ka rikonfirmuar formën e mirë që po kalon pikërisht në prag të ndeshjes shumë të rëndësishme të kombëtares sonë më 7 qershor ndaj Norvegjisë në Tiranë. Kujtojmë se Salihi pat shënuar edhe golin kryevepër në ndeshjen e parë në Norvegji që u fitua nga kuqezinjtë tanë 1-0. Të shpresojmë se një gol të tillë do shënojë edhe këtë herë në Tiranë për t’i dhënë një tjetër fitore kombëtares shqiptare që është në prag të realizmit të një ëndërre të madhe.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)