Sulmuesi shkodran Hamdi Salihi ka shënuar sërish për skuadrën e tij kineze Jiangsu Sainty në ndeshjen e luajtur sot ndaj japonezëve të Vegalta Sendai, ndeshje kjo e vlefshme për Champions Leaguen e Azisë. Skuadra e shkodranit ndonëse ka luajtur në transfertë, ka arritur të fitojë 2-1 dhe Salihi ka bërë një paraqitje shumë të mirë edhe në këtë ndeshje. Ai ka arritur të godasë edhe traversën, madje të shënojë edhe golin e fitores në minutën e 62-të të ndeshjes, një gol ky i shkëlqyer prej tij. Me fitoren e sotme, Jiangsu Sainty u ngjit në kuotën e 7 pikëve duke mbajtur vendin e tretë në grup dhe nuk ka mundur të kalojë dot në turin tjetër të këtij kompeticioni ngaqë skuadra e vendit të dytë, ajo tajlandeze e Buriram United ka patur një golaverazh më të mirë (6-6) ndërsa ajo japoneze (5-10).

Në këtë mënyrë, kinezët e Jiangsu janë të detyruar të heqin dorë nga vazhdimi i mëtejshëm i garës në këtë kompeticion të rëndësishëm. Por megjithatë Salihi ka dhënë një kontribut jo të vogël në këto ndeshje teksa ai ka shënuar dy nga pesë golat e skuadrës së tij në ndeshjet në grup. Ai është sulmuesi kryesor dhe po e justifikon plotësisht shpenzimin financiar që drejtuesit e klubit kanë bërë për marrjen e tij nga amerikanët e DC United.
Gjergj KOLA
(www.shkodrasport.com)