Besëlidhja do të rikthehet në fushë vetëm për javën e 4-t të Kategorisë së Parë. Veç ndalesës së kampionatit prej Kombëtareve, lezhjanëve u ka rezervuar edhe kalendari një javë pushim.

Kjo periudhë do të shfrytëzohet maksimalisht për të perfeksionuar ndonjë defekt të vogël që mund të kenë shfaqur në 180 minutat e para dhe kolauduar grupin.

Sinan Bardhi pret që të ketë gjithçka gati për Burrelin, një rival direkt në “luftën” për Kategorinë Superiore. Këtë e thotë edhe Samet Hepaj, në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”.

Mesfushori mendon se skuadra është në rrugën e duhur dhe këtë vit do të ngjiten me çdo kusht në elitë. “E kemi nisur sezonin me këmbë të mbarë. Më tepër se pikët e grumbulluara, na gëzon loja e mirë që kemi zhvilluar në këto dy ndeshje.

Objektivi për ne mbetet i pandryshuar: Superiorja. Këtë vit do të bëjmë çmos që t’ia dalim, pasi shumë e zgjatëm. Kundër Partizanit B morëm një fitore të thellë dhe pati vend që të shënonin që të gjithë.

Unë munda të shënoj të katërtin gol, që mbylli dhe fraksionin e parë të takimit. Tani jemi përqendruar te ndeshja e radhës ndaj Burrelit, ku do të hyjmë në fushë për vazhdimësinë e rezultateve pozitive.

Kohë kemi me bollëk për të qenë gati, pasi kemi edhe pushimin që na rezervon kalendari. Nëse ruajmë këtë ritëm, askush nuk do të mund të na ndalë”, u shpreh mes të tjerash shkodrani, që luan të gjashtin sezon radhazi te Besëlidhja.