Goli i shënuar prej tij në minutën e 79-të ka rezultuar shumë i rëndësishëm për ekipin e tij. Samuel Asllani e ka dërguar topin në rrjetë dhe me këtë gol i ka dhënë barazimin 1-1 Vllaznisë U19 në ndeshjen me rivalen e saj kryesore- Shkëndinë.
Takimi i vlefshëm për javën e parë të fazës së dytë është luajtur pasditen e sotme në kryeqytet dhe është shoqëruar me një rivalitet shumë të fortë.
Kanë qenë vendasit ata që kanë shënuar të parët me anë të Dajçit. Një gol që u ruajt nga ekipi i Shkëndisë deri në minutat e fundit të ndeshjes.
Megjithatë do të duhej futja në lojë e Asllanit në minutën e 55-të që do të sillte edhe golin nga kuqeblutë. Me këtë barazim, Vllaznia U19 është ngjitur në kuotën e 23 pikëve dhe është sërish dy pikë larg Shkëndisë.
Por duhet thënë se ekipi shkodran ka një ndeshje më pak, atë që do të luajë ditën e mërkurë në Tiranë ndaj Partizanit. Në rast fitoreje ndaj tij, do jetë ekipi shkodran që do të ngjitet në vendin e parë të renditjes.
© shkodrasport.com