Trajneri shkodran Samuel Nikaj sot ka festuar 39 vjetorin e lindjes por kjo ditë do të mbetet gjatë në kujtesën e tij. Jo për dhuratat e miqve dhe familjarëve të tij. As për ndonjë suprizë tjetër të këndshme sa i takon ditëlindjes. Kjo ka qenë ditë e veçantë për të sepse në ndeshjen që ekipi i tij- Flamurtari i Prishtinës ka zhvilluar sot në Rahovec, ka parë një luftë të vërtetë. Tifozë të acaruar, dhunë masive në fushë dhe tribuna, aq sa ndeshja është ndërprerë në pjesën e dytë ngaqë tifozët vendas kanë goditur gjyqtarin e ndeshjes.

Rezultati në ato momente ka qenë 1-0 për Flamurtarin që me shumë mundësi do ta fitojë këtë takim me shifrat 3-0 në tavolinë pas vendimit të Komisionit të Disiplinës. “Fushë më me tension se kjo e Rahovecit nuk kisha parë në jetën time. Luftë e vërtetë dhe për çfarë, për një ndeshje të zakonshme futbolli. Nuk e kuptoj pse duhet të ndodhë kështu megjithatë Flamurtari do të vazhdojë përpara”-ka thënë Nikaj për gazetën SHKODRA SPORT. Me tre pikët e mundshme që kjo skuadër do të marrë në tavolinë për këtë ndeshje, ajo do të ngjitet në kuotën e 24 pikëve dhe tashmë është vetëm dy pikë larg Vllaznimit të Gjakovës që sot është mundur 1-0 nga Dukagjini. Në këtë mënyrë, Flamurtari nën drejtimin e Samuel Nikajt vazhdon vetëm ngjitjen në renditje. Nga vendi i tetë që e mori ai, tashmë është në vendin e dytë sepse në pesë javë që ekipi drejtohet nga ky trajner, ka arritur të fitojë 4 ndeshje dhe të barazojë 1. Fjala humbje nuk ekziston për të dhe për këtë arsye, Superliga duket gjithnjë e më pranë.

© shkodrasport.com