Ka paraqitur dorëheqjen menjëherë pas ndeshjes së humbur me Dinamon të shtunën dhe dy ditë më vonë, ajo është miratuar nga ana e drejtuesve të Adës. Samuel Nikaj në këtë mënyrë nuk është më trajner i kësaj skuadre. Ai e ka marrë këtë vendim me koshiencë të plotë duke menduar për të mirën e skuadrës dhe në kushte të tillë, në një intervistë ekluzive për gazetën online www.shkodrasport.com, do të shpjegonte gjithçka ka ndodhur gjatë kësaj periudhe tek kjo skuadër dhe arsyet që e çuan të japë dorëheqjen. Ja intervista e plotë e Nikajt:
-Nikaj është pranuar dorëheqja juaj nga ana e drejtuesve të klubit të Adës?
-Po, kemi rënë dakord që të mos e vazhdojmë më bashkëpunimin. Sigurisht që më vjen keqë që gjërat shkuan kështu por ja që ndodhi. Marëdhëniet e mia me presidencën e klubit dhe me lojtarët kanë qenë shumë të mira por vendosa të largohem sepse janë rezultatet ato që e masin punën e një trajneri. Rezultatet nuk erdhën dhe prandaj e pashë të arsyeshme të hapja krahun. Këtë e bëra që ata lojtarë të shkunden pak, të ndërgjegjësohen ata dhe stafi që ekipi të dalë nga ajo situatë ku ndodhet tani sepse i ka mundësitë që Ada ta bëjë këtë.
-Pra zyrtarisht Ada është pa trajner?
-Për momentin po por mendoj se kjo nuk do zgjasë shumë sepse drejtuesit do gjejnë një trajner tjetër.
-Ju e njihni mirë këtë ekip që ndodhet aktualisht në vendet e fundit të tabelës së renditjes. E shihni atë të rrezikuar për rënien nga kategoria?
-Janë edhe 22 javë kampionat dhe sigurisht që ka shumë pikë në lojë. Unë nuk u largova se nuk kisha më shpresë për ta shpëtuar këtë skuadër por u largova për të mirën e ekipit sepse e shoh që ai ka potencial. Unë kam qenë dakord që para nisjes së kampionatit me strategjinë që ndoqi presidenca për të krijuar një ekip me lojtarë të rinj dhe me kontrata afatgjata ngaqë Ada çdo vit po vuan largimin e lojtarëve. Vetëm në fund të sezonit të kaluar, iu larguan 9 lojtarë. Në kushte të tilla, sigurisht që do kishim vështirësi në rrugën tonë, por e përsëris, nuk e mendoj aspak rënien e këtij ekipi nga kategoria.
-Çfarë të mire mendoni se do ketë Ada me largimin tuaj?
-Thjesht mendoj unë do largojë fatin e keq që ndoshta kisha unë si trajner. Futbolli nuk është shkencë ekzakte ku thuhet se ndërrimi i trajnerit ndikon për mirë ose për keq. Mund të marrë edhë për mirë kjo punë por gjërat edhe mund të përkeqësohen. Duke qenë i drejtë me veten time, e pashë të arsyeshme të hapja krahun për ndonjë trajneri tjetër që ndoshta mund të bëjë më mirë.
-Jeni shprehur se ju ka munguar fati. Pse?
-Nga tetë ndeshjet që kemi zhvilluar në kampionat, në tre apo katër prej tyre na ka dëmtuar edhe gjyqtari. Realisht në ndeshjet ndaj Partizanit, Elbasanit dhe Tërbunit, jemi penalizuar prej tyre dhe prandaj thashë na ka munguar fati sepse në fakt fati i këtyre takimeve ishte paracaktuar nga të tjerët. Po ashtu, në ndeshjen me Dinamon, sërish na penalizoi fati. Për 90 minuta ishim ne superiorë ndërsa kundërshtari me dy goditje jashtë zone na ndëshkoi kur topi në raste të tilla rrallë përfundon në rrjetë.
-Tek Ada keni patur disa lojtarë të rinj me të cilët keni punuar tek Akademia Vllaznia. Mendoni se ata nuk e justifikuan besimin e duhur?
-Kjo është e vërtetë se janë disa lojtarë që unë i kam patur edhe tek Akademia si Erkoçeviç, Puka, Rusi etj por ata përveç vlerave të mira që kanë, nuk e zotërojnë ende personalitetin e duhur në fushë, për vetë moshën e re që kanë. Tek Ada mungojnë aktualisht këto lojtarë me personalitet që të marrin përsipër fatin e një ndeshje.
-Fatin tuaj në fakt duket se e paracaktoi eliminim në kupë ndaj Tomorit, apo jo?
-Unë mendoj se ai ishte vendimtari. Jo se ne na bënte punë ai kualifikim por do ishte një motiv më shumë për skuadrën. Në atë ndeshje e pashë se nuk do kisha fat. Të luash në Berat ndaj një skuadre të Superligës dhe t’i bësh tifozët e kësaj skuadre të brohorasin “Ada, Ada” nuk më kishte rastisur asnjëherë por kjo erdhi falë lojës së mrekullueshme që zhvilluam. Përpos kësaj, në minutën e 90-të Pllumaj mori një top nga gjysmëfusha jonë, vrapoi për rreth 40 metra drejt portës kundërshtare, doli vetëm për vetëm me portierin dhe kur pritej që ai ta dërgonte topin në rrjetë, e dërgon mbi traversë. Me atë gol, Ada do kualifikohej. E pashë që gjërat nuk do shkonin mirë për ne dhe në fakt kështu na ndodhi sepse në shumë ndeshje kemi humbur ato çfarë nuk duhej të humbeshin.
-Në ndeshjen ndaj Dinamos, një mbrojtje me 18, 19 dhe 20 vjeçarë tek Ada. Drabeja, Tota, Zefi e Rusi. Kanë perspektivë këto futbollistë?
-Jam i bindur se kanë një rrugë të sigurtë në futboll. Për 2-3 vjet mendoj se kanë për të qenë të rëndësishëm, pse jo edhe pjesë e Vllaznisë. Sidomos vëmendja duhet përqendruar tek një futbollist 18 vjeçar si Mateo Zefi që ka të dhënat për t’u bërë një futbollist shumë cilësor dhe pengu im i vetëm është që trajneri i cili do vijë në krye të Adës, të vazhdojë t’u besojë këtyr djemve të rinj sepse e ardhmja është e tyre.
-Zakonisht në raste ndarje, ka edhe pakënaqësi. Ka diçka që doni të thoni për drejtuesit e klubit?
-Asnjë gjë nuk mund të them ndaj këtyre drejtuesve sepse në një vit e gjysëm që unë kam punuar tek Ada, nuk kemi ndërruar qoftë edhe debatin më të vogël. E njëjta gjë edhe me sportistët. Drejtimi i Adës për mua ka qenë një përvojë shumë e mirë, madje mund ta quaj një master profesional sepse kam drejtuar edhe futbollistë si Osja, Kaçi e Doçi, futbollistë këta që kanë luajtur me Vllazninë, ndonjëri prej tyre me moshë më të madhe edhe se unë por kam ditur të ruaj raportet e duhura dhe kjo më ka ndihmuar shumë në punën time.
-Dhe ku do jetë e ardhmja e Samuel Nikës tani?
-Të shohim. Ne trajnerët jemi gjithnjë në pritje të ofertave. Deri në janar me shumë mundësi do jem pushim, pastaj të shohim. Nuk kam dëshirë të kthehem më të drejtoj ekipe moshash. Tani kërkoj një aventurë të re në kategorinë e parë, pse jo edhe në Superligë.
Gjergj KOLA