Titulli kampion i fituar me Flamurtarin e Prishtinës, nuk i ka mjaftuar trajnerit shkodran Samuel Nikaj të rinovojë kontratën me këtë ekip. Këtë e ka bërë të ditur vetë ai teksa ka falenderuar të gjithë futbollistët, stafin e tij dje drejtuesit e klubit për bashkëpunimin që kanë patur për gjatë gjithë sezonit. Megjithatë Nikaj nuk ka bërë asgjë të ditur për shkaqet që çuan në këtë “divorc”. Opsionet e mundshme në fakt janë dy.
I pari, ka të bëjë me atë se trajneri nuk është bindur nga objektivat që do ketë skuadra në Superligën e Kosovës sepse e pat deklaruar edhe më parë se nëse ato do ishin sa për të qëndruar në kategori, ai nuk do të qëndronte. Opsioni i dytë i mosqëndrimit në Prishtinë mund të jetë ana financiare. Shkodrani kuptohet që do të kishte kërkesa më të larta financiare se një sezon më parë dhe në fakt e meritonte këtë gjë sepse e mori Flamurtarin në vendin e tetë dhe e shpalli kampion kur ndoshta askush nuk e mendonte. Megjithatë asnjëra nga këto arsye nuk kanë shumë rëndësi sepse bashkëpunimi i tij me klubin kosovar u mbyll këtu dhe pa dëshirën e tij. Tashmë Samuel Nikaj me siguri që do të kërkojë të gjejë një skuadër tjetër për të drejtuar por këtë herë në Shqipëri.
www.shkodrasport.com