Trajneri shkodran Samuel Nikaj e ka nisur me barazim karrierën e tij në kampionatin kosovar me ekipi e Flamurtarit të Prishtinës. Në ndeshjen e luajtur pasditen e sotme në fushën e Vitias, është vulosur rezultati përfundimtar 2-2. Një barazim që i lë të dy ekipet në pozitat e mëparshme në renditje, pikërisht Vitian në vendin e gjashtë me 13 pikë ndërsa Flamurtari ndodhet në vendin e nëntë me 12 pikë. Në skuadrën e Flamurtarit, përveç trajnerit, janë edhe tre futbollistë nga Shkodra, pikërisht portieri Ervin Hallunaj, mbrojtësi Erbet Hotaj dhe sulmuesi Jurgen Gjini.
Ky i fundit madje është autor i njërit prej dy golave të ndeshjes së sotme ndaj Vitias. Trajneri Nikaj në prononcimin e tij për gazetën “SHKODRA SPORT” e ka konsideruar si rezultat pozitiv barazimin e sotëm. “Në pamje të parë ndoshta nuk duhet të jemi të kënaqur me pikën e marrë, nisur edhe nga pretendimet që ne kemi, megjithatë dua të them se fusha e Vitias është një fushë shumë e vështirë, mund të krahasoja me fushën e Burrelit në futbollin shqiptar. Për këtë arsye, tashmë duhet të shohim përpara dhe të mendojmë për ndeshjet e ardhshme sepse kemi shumë gjëra për të rregulluar në skuadrën tonë”- ka thënë ai. Nikaj është emëruar vetëm pesë ditë më parë në krye të ekipit të Flamurtarit të Prishtinës, ekip që ka pretendime për t’u ngjitur në Superligën e Kosovës megjithatë nisja që ai i ka bërë kampionatit nuk ka qenë e mirë dhe për rrjedhojë ka ardhur edhe ndryshimi në pankinë, teksa tashmë gjithçka i është besuar Samuel Nikajt.
© shkodrasport.com