Trajneri i Ekipit të Burrelit, Samuel Nikaj është tepër i kënaqur me lojën që bënë djemtë ndaj Korabit. Nga ana tjetër Nikaj shprehet se oreksi është shtuar gjatë rrugës ku nga një ekip performance ka kaluar në një rival vërtetë të fortë për superligë. Pozicioni aktual pas ndeshjes me Korabin, për teknikun Nikaj nuk është ajo që kërkon skuadra, pasi kjo do të shihet pas tri ndeshjeve të radhës.
“Me thënë të drejtën ju gëzova ndeshjes me Korabin për vetë performancën që bëmë. Ishte fitore bindëse ndaj një kundërshtari shumë të fortë i cili ka lojtarë me shumë eksperiencë dhe një trajner që ka eksperiencë në superligë. Ne ishim përgatitur gjatë javës dhe ashtu e zhvilluam. Fillimisht ndërtuam një ekip që do të kthente entuziazmin në stadium, të bëjë lojë të bukur e të performojë mirë.
Megjithatë gjatë rrugës oreksi u shtua sepse kemi marrë pikë të rëndësishme edhe shpresoj që të vazhdojmë kështu. Mendoj që ekipi është rritur shumë, ku na ndihmoi edhe shtyerja e kampionatit pasi kishin ardhur lojtarë nga shumë vende të tjera dhe kërkonte kohë t’i bëje një për një grup.
Gjithsesi mendoj që loja e fundit tregoi një ekip të denjë, përgjatë ekipeve më të mira që mund të ketë patur ndonjëherë Burreli. Luajtën me zemër e me shpirtë. Unë e di se si luhet futboll në Burrel pasi kam qenë edhe vetë lojtarë këtu” – deklaroi Nikaj.
Sa i përket objektivit, tekniku i ekipit matjan Samuel Nikaj shprehet se edhe ky formacion është i denjë për superligë, ndërsa në merkaton e dimrit mund të bëhet maksimumi afrimi i dy lojtarëve.
“E keni parë edhe vetë që gjatë ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar me skuadra të superligës kemi luajtur si të barabartë. Mund të bëjmë 1 maksimumi 2 perforcime pasi nuk na duhen më shumë qoftë për të dalë në superligë e qoftë për të qenë pjesë e saj. Kemi luajtur me keipet më të mira të superligës dhe kemi patur rezultate të mira.
Kontigjenti i lojtarëve është shumë i mirë pasi 4 apo 5 kanë eksperiencë të gjatë në futboll, ndërsa të rinjtë po e tregojnë veten çdo ditë e më shumë që mund të bëhen dikushi për veten e tyre dhe normalisht po i japin shumë Burrelit. janë të paktën 5 lojtarë që i kanë lakmi edhe ekipet e superligës” – u shpreh Nikaj.
Sa i përket ndeshjes së radhës ndaj Erzenit të Shijakut, shkodrani Nikaj tha se është vlerësuar në maksimum pasi përvoja e këtyre javëve ka treguar se çdo ekip ka peshën e tij, ndonëse në pamje të parë mund të duket i dobët.
“Ne çdo ndeshje do ta trajtojmë si finale dhe çdo kundërshtar do ta respektojmë njëlloj sepse kjo është ajo që duhet për të dalë në superligë. Unë nuk nënvlerësoj asnjë ekip, pasi Vora na ka vënë në vështirësi, ndërsa e kundërta ndodhi me Korabin ku fituam lehtë. Pra ky është kampionat që ka të papritura dhe të paparishikueshme, ku ndryshon nga ndeshja në ndeshje. Ne do ta trajtojmë si finale dhe do të shkojmë për tu kthyer me tri pikë nga Shijaku” – tha Nikaj.
Burreli ndodhet aktualisht në vendin e parë të grupit A me 13 pikë, i ndjekur nga Dinamo e Korabi me po aq pikë./mattv/