Vllaznia u paraqit në Kavajë pa trajnerin Agim Canaj në stol, i cili ishte i pezulluar nga Komisioni i Disiplinës për shkak të problematikës që pati me gjyqtarin Kridens Meta në përfundim të ndeshjes me Bylisin. Prandaj shkodranët në këtë takim u drejtuan nga zv.trajneri Samuel Nika. Pas ndeshjes, ndihmësi i trajnerit Canaj pohon se Vllaznia luajti mirë në Kavajë, pasi nuk i munguan rastet për shënim, por fati që ishte me vendësit.
“Në Kavajë fati nuk ishte me Vllazninë. Luajtëm mjaft mirë gjatë gjithë ndeshjes dhe krijuam raste, madje patëm dy mundësi ideale shënimi me anë të Hajdarit. Por, ashtu siç jemi nderuar më herët nga Hajdari, Bushiç e tjerë, sot (dje) fati nuk ishte me ne. Rëndësi ka loja që prodhoi Vllaznia, një lojë mjaft e bukur dhe që të bën optimist për ndeshjet e ardhshme. Së fundi falënderoj Besën për kushtet ideale në të cilat u zhvillua takimi”, – u shpreh Nika pas ndeshjes.