Pak ditë më parë i ka dhënë fund marëdhënieve me klubin e Kastriotit të cilin pasi e ngjiti në Superligë, vendosi të mos e drejtojë më tutje.

Trajneri shkodran Samuel Nikaj zgjodhi këtë rrugë në mënyrë që të nisë një përvojë të re.

Dëshira e tij është të mos qëndrojë gjatë në një pankinë dhe për këtë arsye, kërkon tashmë një aventurë të re.

Dhe në fakt, ofertat asnjëherë nuk i kanë munguar. Dy skuadra të njohur të kategorisë së parë të futbollit shqiptar, duan ta kenë në pankinë.

Tashmë Nikaj është shndërruar në “njeriun- sukses” dhe drejtuesit e këtyre dy klubeve e duan për pankinën e tyre në mënyrë që t’i ngjisë në Superligë ashtu siç ka bërë edhe me Flamurtarin e Prishtinës dhe së fundmi me Kastriotin e Krujës.

Emrat e këtyre ekipeve që i kanë bërë ofertë, vetë trajneri ambicioz nuk ka dëshirë t’i bëjë të ditur përderisa ende nuk ka mbyllur asgjë me to.

Nga ana tjetër, prej ditësh emri i tij ka dalë në skenë edhe tek Vllaznia. Skuadra ka rënë në kategorinë e parë dhe tashmë ai shikohet si një nga trajnerët e mundshëm që mund ta ngjisë sërish në nivelet më të larta të futbollit shqiptar.

Por sakaq, edhe në Kosovë Samuel Nikaj ka lënë gjurmë me punën e bërë një sezon më parë.

Për këtë arsye, edhe aty janë dy skuadra të kategorisë së parë që duan ta kenë në gjirin e tyre.

Gjasat janë që ai të vendosë për njërën nga këto pesë oferta deri në gjysmën e muajit qershor.

Kalimi në Kosovë sërish është një opsion shumë i mundshëm por ende asgjë nuk ka përfunduar sepse ekipet shqiptare duan ta kenë pjesë të tyre.
© shkodrasport.com